Sulmohen rrjetet e qeverisë amerikane, dyshohet për hakerë rusë

Hakerë të dyshuar rusë kanë hyrë në rrjetet e qeverisë amerikane, përfshirë Departamentin e Thesarit dhe atë të Tregtisë, si pjesë e një fushate disamujore globale të spiunimit kibernetik, që besohet të ketë shënjestruar edhe qeveri të tjera dhe korporata të mëdha.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyot, tha përmes një deklarate më 13 dhjetor se qeveria ishte “duke marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe korrigjuar çdo çështje të mundshme në lidhje me këtë situatë”. Ai nuk tha se kush qëndronte pas sulmit.

Sipas zyrtarëve, hakerët kishin në shënjestër Departamentin e Thesarit dhe atë të Tregtisë, institucione përgjegjëse për vendosjen e politikës së internetit dhe të telekomunikacionit. Situata është aq serioze, sa Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në Shtëpinë e Bardhë më 12 dhjetor.

Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe agjenci të tjera. Operacioni i hakerëve, që besohet të ketë filluar muaj më parë, por që është zbuluar tani, përfshin edhe spiunimin e postës elektronike të agjencive të shenjestruara. Zbulimi vjen pasi firma amerikane e sigurisë kibernetike “FireEye”, më 8 dhjetor tha se “një vend me aftësi sulmuese të nivelit të lartë” u fut në rrjetin e saj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.