GORBAÇOV NUK ISHTE SHENJTOR, POR MBETET NJë LLOJ HEROI

‘The Spectator’

Mihail Gorbaçov ka vdekur në moshën 91 vjeç dje në një farë mënyre unë ndjehem jetim. Mahnitesha nga Bashkimi Sovjetik i asaj kohe, në vitet e fundit të sklerozës së tij, kur pleqtë me një këmbë në varr në majë të sistemit pasonin njëri-tjetrin (kishte edhe një barsoletë të zezë: një roje i KGB-së ndalon dikë në një funeral shtetëror dhe e pyet nëse kishte leje-kalimi. ‘Oh’, iu përgjigj ai. ‘Unë kam abonim sezonal’). Por vitet e hershme të miat si vëzhgues i Rusisë ishin gjatë kohës së tij si Sekretar i Përgjithshëm, dhe nëse më të vjetrit te ne besonin se Bashkimi Sovjetik ishte një batak, shtet policor i pandryshueshëm, ne besonim se ndryshimet mund të ndodhnin, madje edhe për mirë.

Besimi im, jo popullor në atë kohë, se Rusia mund të ndryshonte për mirë, se në një farë mënyrë mund ta gjente rrugën e kthimit në familjen evropiane, ishte një nënprodukt i kësaj ere. Jo sepse Gorbaçovi ishte shenjtor apo profet, por sepse forcat që ai çliroi e të cilat, ironikisht, më pas do të sillnin rënien e tij, tregonin urinë për diçka ndryshe, mbi të gjitha për atë ndjesi të pjesëmarrjes publike.

Parlamenti i tij i ri, Kongresi i Deputetëve të Popullit, u zgjodh përmes një sistemi të skicuar me kujdes për të siguruar që do të ishte i mbushur me komunistë. Megjithatë, kur u mblodh për herë të parë në maj 1989, kishte ende radikalë, nacionalistë dhe konservatorë, të gjithë të gatshëm ta thoshin fjalën e tyre, e madje edhe parlamentarë komunistë, të trimëruar apo të joshur nga debati, nisën të dilnin nga vija e partisë. Popullsia u magjeps kaq shumë nga pamja e një legjislature që nuk ishte një mashtrim koreografik sa që u ngjit para radiove e televizorëve aq sa prodhimi ra deri në atë pikë saqë i ndërprenë transmetimet direkt të seancave.

Sigurisht, Gorbaçovi dështoi. Besuesi i fundit i vërtetë në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai erdhi në pushte me shpresën për ta ringjallur, e bashkë me të edhe Bashkimin e sëmurë Sovjetik. Përkundrazi, përfundoi duke i shkatërruar të dy, duke u përpjekur të reformonte institucione që nuk mundeshin apo që nuk ia lejonin vetes të reformoheshin.

Ai dështoi edhe në mbajtjen e një linje të qëndrueshme, sidomos në dimrin 1990-91, kur, i dëshpëruar nga kaosi ku po zhytej vendi, lidhi një aleancë të përkohshme nga halli me ndjekësit e linjës së ashpër. Ata premtonin rend, ndonjë reformë ekonomike, të stilit Pinochet, ndërkohë që përgatisnin shtypje. Gorbaçovi diskreditoi veten me dërgimin e trupave për të shtypur lëvizjet paqësore për pavarësi në republikat baltike.

Pati të shtëna, vdekje, dhe rezultati ishte joproduktiv, siç pritej. Ishte e habitshme, megjithatë, në ato rrethana, se sa pak gjak u derdh. Ai tërhoqi trupat nga Afganistani, i tha mirupafshim perandorisë sovjetike në Evropën qendrore dhe në fund firmosi daljen nga ekzistenca të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Sa perandori shkojnë kaq paqësisht drejt fshirjes?

Kështu që ishte një dështim, por një dështim për arsyet e duhura. Cilësia më e madhe e Gorbaçovit ishte kapaciteti për të dështuar në mënyrë produktive, të dështonte e njëherazi të nxirrte mësime. Ndryshe nga shumë udhëheqës, ai evoluoi. Erdhi në pushtet i bindur se gjithçka që i nevojitej sistemit ishte pakëz modernizim dhe një makijazh i lehtë, se partia ishte aleati dhe mjeti i tij më i madh, por eventualisht arriti me të drejtë ta shihte si pengesën më të madhe për reformë.

Sigurisht, refuzimi për të përdorur forcën për të mbajtur të bashkuar perandorinë, qoftë Traktatin e Varshavës apo vetë Bashkimin Sovjetik është dështimi i tij më i madh për njerëz si Putin. Një Homo Sovieticus nga koka te këmbët, Putin nuk dëshiron të rikthejë BRSS siç ishte (apo perandorinë cariste), por ai synon rikthimin e atij statusi global dhe hegjemonie rajonale që sipas tij Gorbaçov i braktisi ngaqë ishte tepër i dobët për t’i mbajtur.

Kjo është, pa dyshim, një lexim i marrë e i rrezikshëm i së kaluarës, një supozim i cekët se një lider sovjetik me atë ashpërsi që Putin ndjen se e ka mund t’u kishte bërë ballë dallgëve të historisë dhe ekonomisë. E megjithatë kjo ide mbetet shtysa kryesore që qëndron pas imperializmit të dëshpëruar të Putinit, nevoja për të treguar se ai është anti-Gorbaçovi.

Gorbaçov ishte figurë komplekse. Një reformist që çau përmes strukturave të korruptuara, klienteliste, të partisë; një paqebërës që prapë i ka duart me gjak; një politikan i pamëshirshëm që pati vullnetin t’u përulej realiteteve të reja dhe të hiqte dorë nga pushteti me hijeshi. Ai ishte i dështuar si udhëheqës sovjetik, por në mënyra që sugjerojnë se po aq më i mirë si qenie njerëzore.

Mbi të gjitha, ndoshta elegjia më e mirë për Gorbaçovin është pikërisht fakti që Putin e urrente atë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.