Gjykata ruse, dënim me burg për Alexei Navalny
Një gjykatë ruse në Moskë urdhëroi sot dënim me burg prej më shumë se 3 vite e gjysmë për kritikun më të ashpër të Kremlimit, Alexei Navalny, nën akuzat e shkeljes së rregullave të një dënimi me kusht të vitit 2014, gjatë kohës sa po shërohej në Gjermani pas helmimit me një agjent nervor, për çka ai akuzon Kremlinin.
Kritiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, u arrestua në një rast që sipas opozitarit është i motivuar politikisht.
Kjo çështje ka shkaktuar protesta në të gjthë vendin dhe reagime nga perëndimi. Edhe sot autoritetet ruse penguan protestat afër ndërtesës ku u zhvillua seanca kundër Navalny-t, duke arrestuar një numër të konsiderueshëm qytetarësh.
Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri kritika të ashpra nga Gjykata në Moskë.
Duke folur nga një kafaz qelqi në sallën e gjyqit, zoti Navalny e quajti arrestimin e tij si frikë dhe urrejtje të Presidentit Putin, duke thënë se udhëheqësi rus do të hyjë në histori si një helmues.
“Unë e kam ofenduar atë duke i mbijetuar atentatit që ai urdhëroi”, tha Navalny gjatë seancës.
“Qëllimi I kësaj seance është trembja e një numri të madh njerëzish. Ju nuk mund të burgosni miliona njerëz. Nuk mund të burgosni gjithë vendin”, tha ai
44 vjeçari u arrestua më 17 janar pas kthimit nga Gjermania, ku kaloi rreth pesë muaj, për t’u shëruar pas helmimit me një agjent nervor, për të cilin ai fajëson Kremlinin.
Autoritetet ruse i mohojnë akuzat, duke thënë se nuk ka prova të helmimit.
Shërbimi i burgjeve të Rusisë kërkon që Navalny ta vuajë dënimin e vitit 2014 prej tre vite e gjysmë në burg, pasi ai shkeli lirimin me kusht.
Alexei Navalny theksoi se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se dënimi i tij i vitit 2014 ishte i jashtëligjshëm dhe se Rusia i pagoi atij kompensim në përputhje me vendimin.
Ai dhe avokatët e tij thanë se ndërsa ai po shërohej në Gjermani nga helmimi, nuk kishte si të regjistrohej personalisht tek autoritetet ruse siç kërkon ligji.
“U ktheva në Moskë pasi përfundova trajtimin. Çfarë tjetër mund të bëja”, tha Navalny të martën.
“Po luftoj dhe do të vazhdoj edhe pse jam në duart e njerëzve që pëlqejnë shpërndarjen e armëve kimike gjithandej dhe të cilët nuk mërziten për jetën time”, shton ai.
Burgosja e Navalnit nxiti protesta të mëdha në gjithë Rusinë.
Vetëm dy ditë më parë policia arrestoi më shumë se 5 mijë e 750 protestues.
Vendet perëndimore kërkuan lirimin e menjëhershëm të Navalnit dhe të arrestuarve tjerë gjatë demonstratave.
Autoritetet ruse akuzojnë perëndimin se po ndërhyn në punët e brendshme të Rusisë.
Sorry, the comment form is closed at this time.