G7-a, SHANSI I FUNDIT I PERËNDIMIT PËR TË UDHËHEQUR BOTËN

Nga Gideon RACHMAN/ Financial Times

Zakonisht takimet e nivelit të lartë ndërkombëtar vijnë dhe shkojnë, midis morisë së fotove të liderëve para kamerave, bliceve dhe komunikatave të palexuara.

Por takimi i G7-s në Kornuoll këtë javë mund të jetë një ngjarje e rrallë që në fakt ka shumë rëndësi, si për vendet individuale të përfshira, ashtu edhe për aleancën perëndimore dhe për botën në përgjithësi.

Për kryeministrin britanik Boris Johnson, që e organizon samitin e këtij viti, ai është një shans për të kundërshtuar çdo koment se ai është një peshë e lehtë në skenën botërore, dhe për të treguar se mund të drejtojë një takim të madh ndërkombëtar.

Gjithashtu, Johnson ka rastin të tregojë se “Britania Globale” është më shumë se sa vetëm një parullë. Për Joe Biden, që kryen udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si president i SHBA-së, samiti është një mundësi për të demonstruar se Amerika është rikthyer në qendër të skenës globale.

Biden e ka bërë të qartë se ai synon që të bëjë bashkë demokracitë e botës kundër Rusisë dhe Kinës.

Presidenti amerikan do të zhvillojë një takim dypalësh me Boris Johnson, të pasuar nga 3 takime me aleatët demokratikë në fillim me ato të G7-s, pastaj të NATO-s, dhe në fund një samit BE-SHBA përpara se të vazhdojë me një takim me Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.

Ai synon të sjellë në Evropë një mesazh bashkimi nga Amerika, dhe të bëjë bashkë aleatët e tij demokratikë. Gjithashtu, takimi i G7-s do t’i dërgojë një mesazh indirekt edhe Kinës.

Linja kryesore e propagandës së Pekinit, është se Perëndimi gjendet aktualisht në fazën e një rënieje të pandalshme.

Një samit i suksesshëm i G7-s mund të gjallërojë idenë se Perëndimi mund të sigurojë sërish udhëheqjen globale, në aleancë me demokracitë e tjera në Azi dhe në botë.

Është identiteti i G7-s si një klub demokracish, ai që i jep këtij grupimi një rëndësi të përtërirë në epokën e një tensioni në rritje midis Kinës dhe Perëndimit.

Shtatë vendet kryesore të botës- SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Kanadaja – u takuan për herë të parë në vitet 1970. Në fundin e Luftës së Ftohtë, grupit iu ftua t`i bashkohej edhe Rusia, duke e shndërruar G7-ën në G8. Por Federata Ruse u përjashtua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Sfida e madhe për rëndësinë globale të G7-ës, është rënia e peshës së saj në ekonominë botërore. Siç e thekson Renata Dwan e think-tankut britanik “Chatham House”, në vitet 1970 vendet G7-ës përbënin rreth 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës. Tani kjo sasi është rreth 40 për qind.

Kur bota u godit nga kriza globale financiare në vitin 2008, duhej një grupim më i madh vendesh sesa G7 që ta largonte ekonominë botërore nga buza e greminës. Për t’u përballur me atë emergjencë, administrata Bush thirri samitin e parë të G20-ës, që përfshinte G7-ën origjinale, plus fuqitë ekonomike në rritje si Brazili, India dhe mbi të gjitha, Kina. Suksesi i G20-ës në organizimin e aksionit ndërkombëtar për të shmangur një depresion global,u duk sikur konfirmoi se kishte kaluar koha e G7-ës. Madje në atë kohë pati spekulime se grupi mund të mos takohej më kurrë. Vetë president i SHBA-së, Donald Trump e etiketoi si të vjetruar atë grupim.

Sot është vendosmëria e ripërtërirë e administratës Biden, për t’iu kundërvënë sjelljeve të papranueshme të Moskës dhe Pekinit, ajo që i ka siguruar G7-ës një arsye të re për të ekzistuar. Por fakti që ky grupim nuk përfaqëson më pjesën më të madhe të ekonomisë globale dhe që anon nga rajoni euro-atlantik mbetet një problem.

Për të kompensuar këtë dobësi, grupimi ka ftuar në këtë samit4 vende të tjera:Australinë, Indinë, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut. Fakti që 3 nga të ftuarit, janë vende aziatike nënvizon rolin që ka ky grupim në kundërvënien ndaj Pekinit. Gjithsesi, disa prej çështjeve më thelbësore të vendosura në axhendën e samitit të G7 pandemia, ndryshimi i klimës dhe tregtia kërkojnë në fund edhe bashkëpunimin e Kinës. Ato janë çështje globale të cilat nuk mund të adresohen pa pjesëmarrjen e kombit më të populluar në botë, dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Qasja e G7-ës ndaj kësaj dileme, duket të jetë përpjekja për të siguruar një epërsi praktike dhe morale që të krijojë nxitjen e duhur për arritjen e një marrëveshje globale. Një nga shembujt kryesorë në këtë drejtim, është marrëveshja e arritur tashmë mbi një normë minimale globale të takimit mbi korporatat, e cila duhet të nënshkruhet në takimin e kësaj jave të G7-ës, dhe më pas të shqyrtohet edhe në samitin e G20-ës që do të mbahet më vonë gjatë këtij vitit.

Çështja kryesore në Kornuoll këtë vit do të jetë nëse G7 mund të gjejë nisma të tjera praktike, të cilat shkojnë përtej parullave dashamirëse për vaksinimin e botës, emetimet në nivelin zero të karbonit në atmosferë dhe “tregtinë e lirë dhe të ndershme”. Në lidhje me pandeminë e Covid-19, një hap i dukshëm përpara do të ishte rritja e shpejtë e fondeve për COVAX, programi global i vaksinimit. Ndërkohë, SHBA dhe Britania do të jenë nën presion për të filluar dhurimin e sa më shumë vaksinave tek vendet e botës në zhvillim, përpara se të kenë arritur vaksinimin thuajse të plotë në vendet e tyre.

Në aspektin e politikës së brendshme, kjo mund të jetë diçka jo pak e vështirë. Por nëse G7 e shmang këtë sfidë, Kina do të jetë në gjendje të bëhet “motori” i makinerisë globale të vaksinimit. Meqë Kina është sot ndotësja më e madhe në botë e gazrave serë, do të ishte e kotë që G7 ta vendosë nën presion vetëm për çështjen e klimës. Por grupi mund të përparojë axhendën globale përpara samitit të COP26 në nëntor, duke rënë dakord mbi disa nisma të përbashkëta joshëse, si për shembull dhënia fund e subvencioneve për industrinë e qymyrit.

Një pandemi globale, siguron një terren tejet sfidues për samitin e G7. Por një krizë botërore, gjithashtu ofron një shans unik për të treguar udhëheqje. G7-a duhet ta shfrytëzojë një rast që mund të mos vijë më.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.