Fillon evakuimi i forcave të armatosura turke nga Afganistani

Forcat e Armatosura Turke kanë filluar evakuimin përmes aeroportit të Kabulit dhe do të kthehen në Turqi pasi “përmbushën me sukses detyrën që iu ishte besuar”, tha ministria e Mbrojtjes turke në një deklaratë në lidhje me ushtarët turq që shërbenin në Afganistan.

Ministria njoftoi se vendimi erdhi si rezultat i vlerësimit pas takimeve të ndryshme, situatës dhe kushteve aktuale.

“Kaosi në Aeroportin Hamid Karzai të Kabulit u menaxhua, krijuam siguri, aktivitete të tjera të nevojshme të kryera së bashku me trupat e vendeve të tjera. Në këtë proces, 1129 qytetarë civilë u evakuuan me aeroplanët tanë ushtarakë”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalin shkroi në Twitter se “pasi përmbushën detyrat e tyre në një mënyrë të shkëlqyer dhe të nderuar, ushtarët turq në Afganistan po kthehen në shtëpi. Turqia do të vazhdojë të punojë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e vëllezërve dhe motrave tona afgane”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se ishte e rëndësishme që Afganistani të stabilizohet.

“Turqia do të vazhdojë të jetë në dialog të ngushtë me të gjitha palët në Afganistan në përputhje me këtë qëllim”, shtoi ai.

Talebanët kanë marrë kontrollin mbi Afganistanin që nga 15 gushti i këtij viti.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.