Erdoğan: SHBA-ja duhet të bëjë më shumë për refugjatët afganë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se SHBA-ja duhet të bëjë më shumë në lidhje me refugjatët afganë pas krizës që ndodhi me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Në një intervistë për “CBS News” në Nju Jork, ku udhëtoi për të marrë pjesë në Sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Erdoğan tha se “aktualisht, SHBA-ja nuk i ka përmbushur detyrimet e saj ndaj Afganistanit”.

“Kemi më shumë se 300.000 refugjatë afganë dhe nuk do të kemi më mundësi të mirëpresim më shumë refugjatë afganë në Turqi”, tha presidenti turk në intervistën e cila do të transmetohet plotësisht të dielën.

I pyetur nëse SHBA-ja duhet të bëjë më shumë, Erdoğan është përgjigjur: “Sigurisht, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë shumë dhe duhet të investojnë shumë”.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë atje për 20 vitet e fundit, por pse kanë qëndruar në radhë të parë? Këtyre pyetjeve duhet t’u jepet përgjigje nga vetë Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.