Erdogan paralajmëron dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Gjermanisë…

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se Ankaraja mund t’i dëbojë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe tetë shteteve tjera shkaku i komenteve të tyre për ndalimin dhe gjykimin e filantropit e biznesmenit, Osman Kavala.

“I thashë ministrit tonë të Jashtëm se nuk mund ta kemi luksin që t’i mbajmë ata (ambasadorët) në vendin tonë”, tha të enjten presidenti turk para gazetarëve.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Zelandës së Re të hënën publikuan një deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje për lirimin e Kavalasë, duke pretenduar se rasti ndaj tij hedh hije mbi Turqinë.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë i thirri në raportim ambasadorët e këtyre shteteve, shkruan TRT.

Kavala fillimisht ishte arrestuar nën akuzat që lidhen me protestat e vitit 2013. Më vonë, ndaj tij u ngrenë akuza të reja që lidhen me përpjekjen për puç më 2016. Prokurorët e kanë akuzuar këtë figurë për spiunazh.

Vitin e kaluar, Këshilli i Evropës i bëri thirrje Turqisë që ta lirojë Kavalanë, duke thënë se arrestimi i tij dhe mbajtja në ndalim shërbejnë për t’ia mbyllur gojën dhe për t’i zmbrapsur mbrojtësit tjerë të të drejtave të njeriut.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.