EMA mbështet vaksinimin e adoleshentëve me vaksinën “Pfizer/BioNTech”
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) më 28 maj mori vendim për të lejuar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të “Pfizer/BioNTech” për fëmijët nga 12 vjeç.
Një vendim i tillë tashmë është marrë edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.
Ky njoftim nga EMA vjen disa javë pasi kishte nisur vlerësimin për përdorimin e vaksinave për grupmoshën 12-15 vjeç.
Vaksina e prodhuar nga “Pfizer dhe BioNTech” tashmë përdoret në BE për personat mbi 16 vjeç.
EMA tha se dy dozat e vaksinës, duhet t’u jepen grupmoshave 12-15 vjeç me një interval kohor prej të paktën tre javësh, duke shtuar se shtetet e BE-së mund të vendosin nëse duan të vaksinojnë ose jo adoleshentët.
Deri tani, rreth 173 milionë doza të vaksinës janë administruar në 27 shtetet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge paralajmëroi më 28 maj se Evropa nuk do ta mposhtë pandeminë deri sa të mos vaksinohet 70 për qind e popullatës, duke shtuar se fushata e vaksinimit në Evropë ende është “shumë e ngadalshme”.
Kluge, po ashtu, tha se shqetësues mbeten edhe variantet e reja të virusit, që janë më ngjitës. /REL
Sorry, the comment form is closed at this time.