DASH: Këto janë pesë temat dezinformuese të Rusisë

Përmes një deklarate, Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka publikuar pesë tema, për të cilat ka thënë se janë narracione të vazhdueshme dezinformuese të Rusisë. Sipas këtij institucioni, në përhapjen e narracioneve të rreme janë të përfshira organe të ushtrisë dhe inteligjencës ruse.

Sipas Departamentit të Shtetit, Rusia i përhap këto narracione të rreme përmes operacioneve në rrjete sociale, përdorim të mediumeve të lidhura me shtetin fshehurazi dhe haptazi në internet dhe futjes së dezinformatave në programet e televizioneve e radiostacioneve.

“Për shumë vjet, Rusia ka fabrikuar një grup të narracioneve të rreme, cilat ekosistemi i saj i dezinformimit dhe propagandës vazhdimisht i fut në mjedisin global të informimit”, thuhet në fillim të deklaratës.

Departamenti i Shtetit thotë se tema e parë e dezinformimit rus është se Rusia është viktimë e pafajshme. “Zyrtarët qeveritarë rusë në mënyrë të rreme e portretizojnë Rusinë si viktimë të përhershme të veprimeve të pretenduara të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Tema e dytë e dezinformimit nga Rusia, sipas Departamentit të Shtetit, është revizionizmi historik. “Kur historia nuk rreshtohet me qëllimet politike të Kremlinit, zyrtarët qeveritarë rusë dhe zërat e autorizuar të tyre i mohojnë ngjarjet historike ose i shtrembërojnë rrëfimet historike në përpjekje për ta vendosur Rusinë në një vend më të favorshëm dhe për t’i shërbyer agjendës së saj të brendshme dhe gjeopolitike”, tha Departamenti i Shtetit.

Departamenti i Shtetit thotë se një temë tjetër dezinformuese e Rusisë është se gjoja “rënia e civilizimit perëndimor është e pashmangshme”, ndërsa tema e katërt është: “Lëvizjet e popullarizuara janë revolucione ngjyrash të sponsorizuara nga ShBA-ja”.

Tema e pestë dhe e fundit e dezinformimit rus, sipas Departamentit të Shtetit: Realiteti është ashtu siç e do Kremlini. “Kremlini shpesh mundohet që të krijojë realitete të rreme të shumëfishta dhe të fusë huti në mjedisin informues, kur e vërteta nuk është në interesin e tij”, thuhet në deklaratë.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.