COVID-19/ Dyndje për testet e shpejta në farmacitë italiane

Hyrja në fuqi e detyrimit për të paraqitur certifikatën e gjelbër në vendet e punës për punonjësit e sektorit publik dhe privat në Itali ka krijuar këto radhë të gjata, me dhjetëra metra pranë farmacive në gjithë vendin.

Pamjet janë filmuar në Bolcano, në veri të vendit, ku qindra qytetarë të pavaksinuar, duke përfituar edhe nga ulja e çmimit, presin të bëjnë testin e shpejtë, në mënyrë që rezultati negativ tu shënohet në sistem e t’u paraqitet më pas eprorëve me fletë të printuara ose në mënyrë elektronike.

Shumë prej tyre thonë se kanë zënë radhën që në agim, pasi që në fundjavë radhë pranë farmacive ka pasur gjithë ditën. Qeveria lejoi kryerjen e testeve Covid pranë farmacive për të gjithë të punësuarit, por duket se kjo masë nuk i ka shmangur problemet me testet për të pavaksinuarit, të cilët duken këmbëngulës për të mos ndërruar mendje edhe pas vendimit të qeverisë që hyri në fuqi të premten.

Probleme për shkak të detyrimit për certifikatën e gjelbër pati këtë të Hënë edhe në portin e Triestes, ku për të katërtën ditë radhazi, punonjësit që e kundërshtojnë mbajnë të bllokuar punën në një pjesë të portit. Ndërhyrja e policisë për t’i larguar, shkaktoi përleshje të ashpra, saqë forcave të rendit iu desh përdorimi edhe i topave me ujë dhe gazit lotsjellës. Nga përleshjet pati të plagosur nga të dyja palët.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.