Britania vendi me shkallën më të lartë të infektimit me variantin indian në Evropë

Britania e Madhe ka tashmë shkallën më të lartë të infektimit me koronavirus në Evropë duke i’a kaluar Spanjës.

Statistikat e përpunuara nga platforma kërkimore me bazë në Universitetin e Oksfordit “Our World in Data”, tregojnë se mesatarisht 107.3 persona për një milionë në Britaninë e madhe kanë rezultuar pozitivë për virusin çdo ditë, gjatë javës së fundit.

Britania, prej muajsh ishte një nga vendet më pak të prekura në kontinent, pasi nisi përpara BE-së procesin e vaksinimit ndërsa pjesa më e madhe e vendeve evropiane ishin të goditura nga një valë e dytë e pandemisë.

Por, prania e variantit infektues “Delta” ka bërë që shkalla e infektimit në vend të rritet sërish, duke e detyruar Kryeministrin Boris Johnson të shtyjë planin për lehtësimin e masave.

Britania e Madhe është tashmë përpara 43 vendeve të tjera Evropiane të përfshira në statistikë. Pasohet nga Spanja me 104.6 raste për 1 milionë banorë, e ndjekur nga Letonia (92.1) dhe Andorra (90.6).

Italia, një nga vendet evropiane më të goditura nga pandemia marsin e kaluar, tani numëron vetëm 28.5 raste për 1 milionë banorë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.