Bjellorusia do të zvogëlojë stafin e ambasadës amerikane

Bjellorusia ka thënë se do të zvogëlojë numrin e lejuar të diplomatëve dhe pjesës tjetër të stafit në Ambasadën amerikane në Minsk dhe do të ashpërsojë procedurat për viza për qytetarët amerikanë, si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane të vendosura ndaj këtij shteti, për shkak të shtypjes që i bën opozitës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Anatoly Glaz e ka bërë këtë njoftim më 3 qershor, pa ofruar detaje shtesë.

Glaz ka thënë se leja për Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtare, për të punuar në këtë shtet, po ashtu është anuluar.

“Këto masa janë të shënjestruara, janë të dizajnuara për të dërguar mesazh të qartë për Shtetet e Bashkuara rreth kotësisë së presionit në marrëdhëniet me Bjellorusinë”, ka thënë ai.

Ky hap vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar nëntë ndërmarrje shtetërore bjelloruse, pas devijimit të detyruar të një aeroplani të kompanisë Ryanair më 23 maj, dhe arrestimit të gazetarit disident Raman Pratasevich.

“Veprimet kanë pasoja. Si rezultat i shpërfilljes së vazhdueshme që po bën regjimi i Lukashenkas në fushën e të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë fund autorizimit për nëntë kompani bjelloruse për punë biznesore. Përshkallëzimi i taktikave shtypëse nuk do të mbetet pa përgjigje”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Bjellorusia është përballur me protesta të pashembullta kundër Lukashenkas, i cili ka udhëhequr këtë shtet nga viti 1994, pas zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht të vitit të kaluar, në të cilat ai ka shpallur veten fajtor.

Opozita ka thënë se ky proces zgjedhor është manipuluar dhe shumë shtete kanë refuzuar që ta pranojnë rezultatin.

Regjimi i Lukashenkas ka shtypur vazhdimisht protestat dhe për pasojë, të paktën 30,000 persona janë ndaluar.

Të tjerë janë burgosur, rrahur apo janë vrarë. /REL

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.