ANKARAJA KA ‘PËRKULUR’ LIDERËT E SHBA DHE EVROPËS

 Federico FUBINI

Kompromisi që Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane kanë bërë që Turqia të heqë veton për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, nuk është i “nderuar”.

Për momentin nuk dihet se cilët dhe sa prej “terroristëve” të dyshuar, të kërkuar nga regjimi i Ankarasë – në thelb për krime të opinionit – do të ekstradohen nga Finlanda dhe Suedia drejt Turqisë.

Gjykatat e Helsinkit dhe Stokholmit do të vendosin në mënyrë të pavarur për këta terroristë.

Shpresojmë që pavarësia në gjykim të karakterizojë këto dy vende që janë në krye të renditjes së “Freedom House” të sistemeve më demokratike dhe më transparente në botë.

Ndërsa presim të kuptojmë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm, mund të përqendrohemi në atë që ka ndodhur ditët e fundit.

Disa nga vendet më të forta ekonomikisht dhe teknologjikisht në botë i janë përkulur diktatit të Turqisë, një komb, monedha e të cilit në pak muaj ka përgjysmuar vlerën e saj kundrejt dollarit amerikan.

Diktatori i “ulur” mbi një ekonomi shumë të dobët nga inflacioni që arrin në 73%, Rexhep Tajip Erdogan, ka arritur t’u imponohet liderëve demokratikë që mund t’i nevojiten së shpejti për një paketë shpëtimi.

Ligjërisht është e mundur, sepse Aleanca Atlantike vendos unanimisht, ndaj mjaftoi kundërshtimi i një qeverie të vetme për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Por politikisht, një detyrim i tillë do të kishte qenë i paimagjinueshëm nga fundi i viteve 1980 deri më 11 shtator 2001, kur demokracitë perëndimore ishin në kulmin e fuqisë së tyre globale.

Sot, raporti i pushtetit është i panjohur. Dhe jo vetëm, sepse pa Ankaranë, Deti i Zi nuk do të rihapet kurrë për të lejuar kalimin e grurit ukrainas. Nëse Erdogan guxoi të bënte një shantazh kaq flagrant ndaj vendeve më të pasura në botë, kjo ndodh, sepse këto të fundit vijnë nga një seri humbjesh që e shfaqin Turqinë si një fuqi në rritje.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë humbur në Siri, deri në atë pikë saqë është ushtria turke tani i vetmi aktor që frenon praninë ruse përkrah diktatorit të Damaskut, Bashar al-Assad.

Perëndimorët humbën në Irak dhe Afganistan. Ata humbën edhe në Libi, pas rënies së Muhammar Gaddafit, deri në atë pikë sa vendi prodhon 2.5 miliardë metra kub gaz në vit për Italinë dhe jo dhjetë miliardë sa mundet realisht të prodhojë. Edhe atje, Turqia është e vetmja kundërpeshë ndaj Rusisë.

Ne perëndimorët kemi humbur, sepse qeveritë dhe opinioni publik nuk mund të mbajnë më angazhime në terren në teatro të paqëndrueshme dhe pikërisht në këtë zbrazëti shfrytëzon Erdogan. Për më tepër, ajo e bën këtë edhe në fushat e gazit në ujërat territoriale të Qipros.

Guximi i diktatorit turk, brenda dhe jashtë NATO-s, nuk është veçse pasqyra e rënies së fuqisë globale të Perëndimit./Corriere della sera/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.