EMA miraton vaksinën e parë anti-Covid për fëmijët 5-11 vjeç

Rregullatori i Barnave i Bashkimit Evropian (EMA) miratoi të enjten përdorimin e vaksinës anti- Covid “Pfizer-BioNTech” për fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç, duke hapur rrugën që ata të marrin dozën e parë, ndërsa kontinenti po regjistron një numër të lartë infektimesh.

Vaksina, e cila quhet “Comirnaty”, do të jepet në dy doza prej 10 mikrogramësh me një distancë prej tre javësh si një injeksion në pjesën e sipërme të krahut, rekomandoi EMA.

“Përfitimet e Comirnaty te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç tejkalojnë rreziqet, veçanërisht në ata me kushte që rrisin rrezikun e Covid-19 të rëndë”, thuhet në njoftimin e EMA-s.

Kompanitë kanë thënë se vaksina e tyre tregoi 90.7% efikasitet kundër koronavirusit në një provë klinike të fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç.

Vaksina e “Pfizer-BioNTech” është miratuar për përdorim nga Bashkimi Evropian tek adoleshentët nga 12 deri në 17 vjeç që nga muaji maj.

Miratimi përfundimtar i takon Komisionit Evropian, por zakonisht ai ndjek rekomandimet e EMA-s.

Nuk është e qartë se kur vendet e BE mund të fillojnë të përdorin të vaksinën për fëmijët më të vegjël.

Në fillim të kësaj jave, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se dërgesat në mbarë BE-në e versionit pediatrik, me dozë të ulët, do të fillonin vetëm më 20 dhjetor.

BE i bashkohet një numri në rritje vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Izraelin, Kinën dhe Arabinë Saudite, të cilat kanë miratuar vaksinat për fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç, por dhe në moshë më të vegjël.

Për injeksionet pediatrike, rregullatori amerikan autorizoi një version të ri të vaksinës, i cili përdor tampon të ri dhe i lejon ato të ruhen në frigorifer deri në 10 javë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.