Afganistan/ Rusia, Kina dhe Pakistani zhvillojnë bisedime në Kabul

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se përfaqësuesit specialë të Rusisë, Kinës dhe Pakistanit për Afganistanin zhvilluan bisedime me zyrtarët e administratës së talibanëve në Afganistan.

Në një deklaratë nga ministria thuhet se me ftesë të administratës talibane, përfaqësuesi i posaçëm i presidentit rus për Afganistanin, Zamir Kabulov, përfaqësuesi special i Pakistanit, Mohammad Sadiq, dhe përfaqësuesi special i Kinës, Yue Xiaoyong, kryen takime zyrtare dyditore në kryeqytetin Kabul.

Përfaqësuesit specialë zhvilluan bisedime me “kryeministrin në detyrë” të qeverisë së përkohshme të talibanëve në Afganistan, Mullah Mohammad Hasan, me “ministrin e jashtëm në detyrë”, Amir Khan Muttaqi, dhe me “ministrin e financave në detyrë”, Mullah Hidayatullah Badri. Në takime u diskutuan në mënyrë të thellë dhe konstruktive çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimet e fundit në Afganistan.

“Theksi u vendos mbi çështje të tilla si zhvillimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, të drejtat e njeriut dhe lidhjet ekonomike dhe sociale me qëllim për të siguruar unitetin dhe integritetin territorial të vendit si dhe për të inkurajuar marrëdhënie miqësore me shtetet e huaja, përfshirë edhe fqinjët e Afganistanit”, thuhet në deklaratë.

Edhe pala afgane i kushton rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë, Kinën dhe Pakistanin, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se: “U arrit dakordim për vazhdimin e kontakteve konstruktive për zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit dhe për paqen dhe mirëqenien në Afganistan”.

Gjithashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit specialë u takuan edhe me ish-presidentin afgan Hamid Karzai dhe ish-kreun e Këshillit të Lartë të Pajtimit Kombëtar të Afganistanit, Abdullah Abdullah.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.