VRASJET E BUJSHME NË TRE DEKADA DHE FAJI I SHOQËRISË

Nga Roland QAFOKU

Në 25 vitet e mia si gazetar më ka rënë të mbulojë ngjarje nga më të rëndat që kanë ndodhur në Shqipëri. Nuk më shqiten ende nga mendja krime që as imagjinata më e sëmurë, e më devijante nuk mund të kishte për krime më makabre, më perverse e më të pështirë njëkohësisht. Dhe të imagjinosh që për këto krime monstruoze më është dashur të shkoj në vendngjarje, të shikoja skena të llahtarshme, të përjetoja dhimbjen e të afërmve të viktimave, të merrja të dhëna dhe pas kësaj të kisha edhe qetësinë që këto histori ti shkruaja në gazetë për t’ia përcjellë publikut. Jam tronditur kur në vitin 1998 në maternitetin e Tiranës disa nënave u thoshin se bebja u kishte vdekur gjatë lindjes, por arkivolet që i dërgonin në varreza rezultonin se ishin bosh. Jam tronditur kur në shkurt të vitit 1999 një studente nga Vlora e gjetën të masakruar me gurë në kokë në qytetin “Studenti” në Tiranë. Jam tronditur akoma më shumë kur në vitin 2000 në Rromanat të Durrësit gjetën të copëtuar trupin e Erieta Avdylit, një punonjëse të UNICEF. Jam tronditur akoma më shumë kur në vitin 2003 një grua në Devoll vrau një fëmijë dhe kufomën e hodhi në pusin e ujit. Për të mos shtuar tronditjet kur kam mbuluar sa e sa ngjarje të tjera kur babai ka vrarë djalin, vajzën, gruan, apo të tjera kur nusja vret vjehrrën më vaj të nxehtë në vesh e deri te ata vrasës serialë apo edhe vrasje e masakra disafishe. Vrasja më 16 nëntor e 8-vjeçarit në Fier ishte akoma më e paimagjinueshme dhe e rëndë, jo vetëm për moshën e viktimës, mënyrën makrabe që është kryer krimi, fshehjen e kufomës duke e groposur, por edhe për qetësinë tipike të një krimineli që ka mbajtur pas zbulimit të krimit. Nuk besoj se është dikush që nuk është tronditur kur e ka mësuar. Personalisht përjetimet e mia kur mbuloja ngjarje të këtij lloji e zgjidhja përherë kur sa herë e përfundoja shkrimin mundohesha të mbyllja si me çelës në mendjen time gjithçka që kisha përjetuar. Besoj kështu ndodh kjo me gazetërët e kronikës së zezë por edhe shefat e tyre që i drejtojnë dhe udhëzojnë. E megjithatë kjo sprovë është shumë e vështirë se përjetime të tilla jo vetëm të trishtojnë, por të krijojnë superhabi për faktin se si mund të vrasë njeriu kështu. Nga buron kjo dhunë shtazarake? Nga buron kjo urrejtje? Përse shqiptari jo vetëm vret, por vret si në Mesjetë me prerje koke, me përçudnim të trupit? Ka edhe nga ata gazetarë që nuk e kanë përballuar dot dhe kanë hequr dorë. Asnjëherë nuk arrija të kuptoja arsyet e këtyre akteve, pasionin e vrasësve jo vetëm për të vrarë por edhe për të masakruar trupin e viktimës në atë mënyrë që vetëm një i sëmurë mendor në gjendje të rëndë mund ta bënte. Shpesh kjo më krijonte mendimin se shoqëria jonë është e sëmurë bash ashtu siç e thoshte shqiptari i madh At Zef Pllumi se “këtij populli duhet t’i ndërrohet truni”. Akoma më i sëmurë më dukej truni i këtij populli kur intervistoja banorët e zonës ku kishte ndodhur krimi. Turma të tëra që bërtisnin “të varet prej gjuhe”, “Të varet në mes të fshatit”, “Ti pritet koka”, “Ta djegim me benzinë”, “T’ia bëjmë mishin copa-copa”. Përherë mua këta më dukeshin edhe më të sëmurë se vrasësi. Më dukeshin si pikërisht se mentaliteti i varjes prej gjuhe të një komuniteti kishte pjesën e vet vrasëse te monstra. Po cili është konkluzioni në të tilla situate kur në një komunitet zbulohet një vrasje makabre dhe pas kësaj komunitetit është gati të bëjë një vrasje akoma më të rëndë dhe makabre ndaj autorit? Personalisht mendoj se nuk ka asnjë dyshim që të gjithë fajin për atë që ndodh e ka vetë shoqëria jonë, askush tjetër. Nuk e ka as Rama, as Basha, as Berisha e as Meta. Në një shoqëri që pjell të tillë monstra nuk mund të jetë duarlarë. Cfarë është ky lloj vrasësi dhe çfarë përfaqëson ai? Pa dyshim që më parë ky vrasës ka qenë një devijues nga një njeri dhe qytetar normal. Përpara se të bënte vrasjen, ai ka qenë në rrugë, në lagje, në fshat dhe në qytetin tonë dhe ka jetuar mes nesh. Dhe “karriera” tij nuk nisi papritur me këtë vrasje. Afërmendsh që ai e ka nisur aktivitetin e tij nga krime më të thjeshta, më të lehta deri sa arriti te makabriteti. Është pikërisht ky vrasës që na ka kaluar përpara syve teksa ka shkelur semaforin me të kuqe dhe ka përplasur kalimtarët e pavarësisht kësaj ai e kaloi këtë ngjarje duke bërë pak burg dhe pak gjobë dhe askush nuk foli. Është pikërisht ky vrasës që ka ndotur ambjentin, ka hedhur plehrat në rrugë, ka ndërtuar pa leje dhe askush nuk i ka thënë një fjalë, lëre për dënime. Është pikërisht ky vrasës që nuk ka bërë një jetë komunitare me rregulla qytetare, por secili në komunitet ka thenë “ç’më duhet mua të merrem me të”. Është pikërisht ky vrasës që dikur ka vjedhur në dyqane e banesa dhe ia ka hedhur me pak burg dhe pasi ka dalë ia ka nisur përherë nga e para por askush nuk ka reaguar. Është pikërisht ky vrasës që ka rrahur gruan dhe fëmijët dhe askush në lagje nuk është përzjerë në “punët e brendshme të familjes së tij”. Janë këto krime të vogla që një ditë u zmadhuan në një vrasje makrabre dhe ne që papritur pothuajse habitemi përse ndodhi krimi i madh. Edhe ndonjë syresh që ka marrë guximin të telefonojë policinë është zhgënjyer sepse një prej policëve më parë lajmëroi autorin se kush e denoncoi në vend të merrej me të. Pasi e mëson këtë komuniteti as që e merr mundimin të përsërisë denoncime të këtij lloji. Dhe të gjithë heshtin duke krijuar një rreth heshtje duke e kthyer në kodin moral të gjithë shoqërisë sonë. Çudia është se ky komunitet që heshti, nuk foli, nuk denoncoi, kur e pa duke bërë ato krimet e vogla pasi ka bërë këtë krimin e madh ulëret dhe kërkon të varet nga gjuha. Ky është nonsens. Kjo shoqëri është po aq fajtore sa monstra vetë. Përpara se të kërkojnë këtë hakmarrje horror për vrasësin ata hakmarrës me varje prej gjuhe duhet të ishin treguar më qyetarë duke e denoncuar atë në çdo hap të jetës. Te polici, te inspektori i zonës, te deputeti i zonës, te familja te lagja. Nëse do ishte bërë kjo nga të gjithë, sigurisht nuk do kishim arritur te ai krim dhe sigurisht që nuk do kërkonim varjen prej gjuhe. Por kjo është shoqëria jonë dhe duhet ta pranojmë që ne dhe ajo jemi fajtorë. /fjala.al

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.