TRUPI I MBRETIT DHE MBRETËRIA
Artan FUGA
Ç’lidhje ka Garda të ruajë ndërtesën e SHQUP-it vetëm Zoti e di! Garda ndofta ruan trupin e kryetarit të opozitës, por vetëm injorantët në shkencat e së drejtës nuk bëjnë dallimin midis trupit të kryetarit dhe mureve të ndërtesës.
Garda, në zbatim të detyrave të saj, kishte detyrimin ta mbante larg objektin e ruajtjes së vet, ta siguronte duke e ndaluar të shkonte në një vend ku ishte paralajmëruar dhunë. Por, jo të bëhej pjesë e skenarëve me dhunë në Partinë demokratike.
Ngatërrimi i këtyre të dyjave duket se i ka vendosur në vështirësi punonjësit e Gardës që të jenë përballë manifestuesve, çka nuk është detyra e tyre, dhe mbi të gjitha të jenë përkrah individëve të dhunshëm që ushtruan dhunë të paligjshme.
Për këdo që e ka të vështirë kuptimin. Ta zemë kryetari shkon në pijetore dhe dehet, atje zihet me të dehur të tjerë. Garda nuk ka për mision të hyjë në sherr me pijanecët, por e tërheq kryetarin nga birraria ose e ndalon të dehet atje.
Ose kryetari shkon në stadium dhe bën sherr me tifoza të tjerë duke u futur në një përleshje me gjuajtje kanoçesh birre. Garda nuk ka për detyrë të marrë pjesë në sherr, por e heq kryetarin që andej dhe e ndalon ose e këshillon mos bëjë të tilla sherre.
Ndani pra atë që filozofët e dinin që në kohërat e Mesjetës, trupin e mbretit nga Mbretëria (shembujt janë krejt të shpikur).
Sorry, the comment form is closed at this time.