TRE ARSYET KRYESORE TË KAOSIT ME VAKSINAT NË EVROPË

Nga DAVID LEONHARDT

Është shenja e fundit e fuqisë që kanë vaksinat anti-Covid:Numri i rasteve të reja është në rënie, dhe shpesh drastik tek vendet që kanë vaksinuar një pjesë të madhe të banorëve. Kjo është situata që po vërehet në Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britani.

Rastet po bien ndjeshëm edhe në SHBA, që nuk është më mirë sa këto3 vende sa i përket normës së vaksinimit të popullatës, por gjithsesi shumë më përpara se sa shumica e vendeve të tjera të botës.

Ndërkohë,në skajin tjetër të spektrit gjendet kontinenti evropian. Në pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian, shpërhapja e vaksinave ka qenë e ngadaltë dhe rastet e reja me Covid-19 po shtohen. Evropa – vendi i parë ku koronavirusi shkaktoi vdekje masive – po përballet me perspektivën e të qenit një nga vendet e fundit që do të dalë nga pandemia.

Kolegu im Jason Horowitz shkruan nga Roma:“Qeveritë po i vendosin sërish nën bllokim popullatat tashmë të lodhura nga kjo situatë. Protestat në rrugë po degjenerojnë në akte dhunë. Një vit pasi virusi filloi që të përhapet në Evropë, gjërat duken të padurueshme”.

Siç shkruajnë Eyck Freymann dhe Elettra Ardissino në “Foreign Policy”:“Pranvera në Bashkimin Evropian do të jetë e tmerrshme”. Gazeta gjermane “Bild”, shkroi kohët e fundit një artikull me titull “Liebe Briten, We Beneiden You!” – një përzierje e gjermanishtes dhe anglishtes që do të thotë “Të nderuar britanikë, ne ju kemi zili!”.

Wolfgang Münchau i “Eurointelligence”, shkruan se programi i vaksinimit në Evropë, po rivalizon me politikën e kursimit buxhetor që ka ndjekur kontinenti vitet e fundit si “gabimi më i keq i politikës së BE gjatë jetës sime”. Po pse Evropa është paraqitur kaq dobët në këtë fushatë? Tre janë shkaqet kryesore.

Shumë burokraci
Ndërsa SHBA-ja dhe vendet e tjera nxituan që të nënshkruajnë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave, Bashkimi Evropian u përpoq në fillim që të sigurohej që të 27 vendet e saj anëtare të binin dakord mbi mënyrën se si do të zhvilloheshin negociatat.

Pra, Evropa zgjodhi “t’i japë përparësi procesit dhe jo shpejtësisë, dhe të vendosë në plan të parë solidaritetin midis vendeve të BE-së, përpara se t’u jepte qeverive individuale më shumë hapësirë ​​për të manovruar”- shkruajnë Jillian Deutsch dhe Sarah Wheaton për Politico Europe.

Rezultati ishte miratimi më i ngadaltë i vaksinave nga entet rregullatore,dhe marrëveshjet e vonuara për të blerë dozat e vaksinave, duke e detyruar Evropën që të presë në radhë pas vendeve që kishin ecur më shpejt.

BE u fokusua më shumë tek kostoja, dhe jo tek shpejtësia e marrjes së vaksinave
Evropa e vuri më shumë theksin tek negocimi i një çmimi të ulët për dozat e vaksinave. Ndërkohë, zyrtarët izraelitë ishin të gatshëm të paguanin një çmim ekstra për t’i marrë sa më shpejt dozat e vaksinës.

Kështu,Izraeli ka paguar rreth 25 dollarë për çdo dozë të vaksinës Pfizer, ndërsa SHBA ka paguar rreth 20 dollarë për dozë. Ndërkohë,BE ka paguar nga 15 deri në 19 dollarë. Ulja e çmimit ishte arsyeja tjetër pse Evropës iu desh që të priste në radhë pas vendeve të tjera.

Edhe në terma thjesht ekonomikë, ky shkëmbim do të rezultojë ndoshta jo shumë produktiv:Çdo 1 dollar i kursyer për çdo dozë vaksine, mund të kursejë në fund të fundit deri 1 miliard dollarë. Një shifër qesharake për një bllok tregtar që ka një prodhim vjetor ekonomik gati 20 trilionë dollarë.

Ndërkohë, edhe vetëm një bllokim i vetëm si ai që ka njoftuar Italia këtë javë, mund të zhdukë çdo kursim. “Diferenca në çmim është e parëndësishme në aspektin makroekonomik” -shkruan Münchau. Sipas tij, Bashkimit Evropian “u përpoq të kishte një avantazh të perceptuar afatshkurtër nga çmimet më të ulëta në kurriz të gjithçkaje tjetër”.

Skepticizmi ndaj vaksinave
“Evropa është epiqendra në botë e skepticizmit ndaj vaksinave”- shkruajnë Deutsch dhe Wheaton në Politico Europe. Ky skepticizëm i parapriu Covid-19, dhe tani pasojat e tij po bëhen shumë më të qarta. Në një sondazh të botuar në revistën “Nature Medicine”, banorët e 19 vendeve u pyetën nëse do të merrnin një vaksinë Covid që ishte “provuar e sigurt dhe efektive”.

Në Kinë, 89 për qind e njerëzve thanë po. Në SHBA, kjo shifër ishte 75 për qind. Ndërkohë ato ishin më të ulëta në pjesën më të madhe të Evropës:68 për qind në Gjermani, 65 për qind në Suedi, 59 për qind në Francë dhe 56 për qind në Poloni.

Skepticizmi ndihmon në shpjegimin e problemit të fundit me vaksinimin në Evropë. Një duzinë vendesh, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e kanë pezulluar aktualisht përdorimin e njërës prej vaksinave kryesore të kontinentit, atë të AstraZeneca, duke përmendur shqetësimet në lidhje me mpiksjen e gjakut.

Por provat se vaksina shkakton mpiksje janë të pakta. Enti kryesor i barnave në Evropë, EMA, thotë se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet. Ndërkohë, Ann Taylor zyrtarja kryesore mjekësore e e kompanisë AstraZeneca, ka theksuar se shkalla e mpiksjes së gjakut midis evropianëve të vaksinuar është më e ulët sesa “do të pritej në mesin e popullatës së përgjithshme”.

Dr.Muge Cevik, eksperte e viruseve në Universitetin Sent Endjrus, më tha dje se ka qenë gjithmonë e rëndësishme që vaksinat të shqyrtohen në detaje mbi sigurinë e tyre. “Por unë do të thoja se përfitimet e vaksinës së AstraZeneca në parandalimin e Covid-19, shtrimit në spital dhe vdekjes, i tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore, sidomos tani në mesin e pandemisë”- thotë ajo.

Përfundimi:Gjatë verës së vitit të shkuar SHBA po përballej më shumë se çdo vend tjetër me një situatë dramatike nga përhapja e madhe e Covid-19. Sot, Evropa duket se është në një gjendje shumë më të keqe. /The New York Times

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.