SHQIPËRI-GREQI, PROBLEMET SIPAS MINISTRAVE TË JASHTËM

Lutfi DERVISHI

Afro dy dekada më parë, një takim i Kryeministrit të Shqipërisë në Athinë me homologun grek u kthye në anekdodë të vlefshme për diplomacinë tonë.

Kryeministri Shqipërisë, pasi foli për miqësinë tradicionale mes dy popujve, për minoritetin si urë mes dy vendeve, për aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë, i erdhi radha të dëgjojë homologun grek, i cili në tavolinë parashtroi çështje krejt të tjera:

1. Pse ka shkuar kontrolli i tatimeve te disa biznese greke?
2. Si qëndron problemi me këtë Bankë Greke?
3. Çështje konkrete të një minoritari…

Pala shqiptare jo vetëm që nuk ishte e përgatitur për të dëgjuar “banalitete”, por as që kishin informacion për çështjet e ngritura.

Kanë kaluar mbi 20 vjet nga takimi në Athinë, por duket se mësimi nuk është nxjerrë siç duhet.

Kjo histori m’u kujtua tek dëgjoja konferencën e shtypit të dy ministrave të Jashtëm, dje në Tiranë.

Më poshtë po rendis çështjet që bënë publike para medias të dy ministrat.

Bëni një krahasim me renditjen e çështjeve që bën homologu grek, përfaqësues i një vendi anëtar i BE-së dhe me fuqi ku e ku më të madhe se Shqipëria.

Ministri Jashtëm i Shqipërisë:

Falenderim edhe njëherë për ndihmën pas tërmetit të 26 nëntorit.
Dy vendet po zhvillojnë dialogun pavarësisht pandemisë.
Ramë dakord për të dialoguar për gjithë problemet tona që janë në interes të gjithë qytetarëve.

1. Komuniteti i qytetarëve tanë në Greqi me mbi 600 mijë shqiptarë, vlerësuan integrimin e tyre, diskutuam edhe për çështje që lidhen me mbrojtjen sociale, me sigurimet shoqërore, me mësimin e gjuhës shqipe dhe çështje të tjera që lidhen me lëvizjen e lirë të qytetarëve.
2. Ministri Dendias më informoi se ka planifikuar tur vizitash në rajon.
E sigurova ministrin që Shqipëria do të ndjekë një politikë aktive të moderuar, të udhëhequr nga synimi për integrim euro atlantik. Integrimi euro-atlantik mbetet nje orientimi patjetërsueshëm.
3. Çështje e rëndësishme është integrimi evropian i Shqipërisë.
Falenderim për mbështetjen e vazhdueshme. Referimi te Samiti i Selanikut 19 vjet më parë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet.
4. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar në fokus të shqetësimit tonë. E vlerësojmë si partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. Mundësitë për rritjen e shkëmbimeve janë më të mëdha.
5. Vlerësuam bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe mbështetjen reciproke të kandidaturave në këto organizma.
6. Temë e diskutimit ishte dhe situata në Ukrainë. Duhet të bëjmë shumë për luftën… dhe shprehim keqardhje për humbjen e shumë jetëve të banorëve të Mariopolit përfshirë edhe ata me origjinë greke!
7. Çështje tjetër e diskutuar është edhe ajo e delimitimit të zonave detare.
8. Çështje të vështira të mbetura trashëgim nga e kaluara, nevoja për të abroguar ligjin e luftës apo çështjet e të drejtave të pronësisë apo të njeriut të komunitetit çam.

Më poshtë në pesë minuta, renditja e çështjeve nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë:

1. Delitimi kufirit detar në Hagë.
2. Abrogimi ligjit të luftës.
3. Minoriteti grek këtu dhe komuniteti shqiptar në Greqi përbën një urë lidhëse mes dy vendeve.
4. Kuptoj shumë mirë çështjen e pensioneve.
5. Sot në mëngjes takova anëtarë të komunitetit grek të Himarës, me ngritën problematikat e tyre dhe janë gjëra që duhet t’i diskutojmë së bashku.
6. Kisha nderin të takoj hirësinë e tij Kryepeshkopin Anastasin me të cilin pata një diskutim të gjatë.
7. Diskutuan ekonominë, tregëtinë mes dy vendeve, luftën në Ukrainë. Përgëzime Shqipërisë për qëndrimin në sinkron me politikën e BE-së!
8. Falenderojmë Shqipërinë për mbështetjen që jep për anëtarësimin e Greqisë në KS të OKB për 2025-2026.

Është krejt i qartë prioriteti që u jep Greqia çështjeve.
Çështjet që përbëjnë interes për Shqipërinë renditen kryesisht në dy pikat e fundit.

Mania për fjalë të përgjithshme dhe tema të mëdha si lufta në Ukrainë, dëshmon se nuk njohim sa dhe si duhet rolin, vendin dhe hapësirën që kemi në këtë botë të globalizuar të majisur me kriza.

Nuk ka asgjë të keqe të flasësh për temat e mëdha. E mira do të ishte që koha të përdorej më me nikorqillëk edhe për hallet tona!

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.