RASTI “META” DHE PSE DUHET ZGJEDHUR PRESIDENTI NGA POPULLI

Nga Ben ANDONI

Votimi për shkarkimin e Presidentit Meta nga detyra nuk ka sjellë asnjë çudi në mjedisin politik, përveçse faktit se: mekanizmi i Parlamentit të sotëm shqiptar, dominuar nga socialistët, ka funksionuar si sahat. Nga ana tjetër, paçka vendimit të mëpastajmë të Gjykatës Kushtetuese dhe justifikimit të vendimit, karriera politike e z. Meta ka prekur fundin.

Me kulturën e tij politike, përvojën e gjatë, por mbi të gjitha njohjen e kulisave shqiptare, z. Meta mund të shërbente si askush për të fashitur krizën politike në vend dhe t’i jepte impakt zhvillimeve politike. Duhet thënë se me fuqinë e tij, arriti të rezistonte dhe të këshillonte deridiku, si në rastin e lënies së mandateve nga opozita, por dukej se revani i gabuar i z. Basha solli një ngërç që i hapi edhe një fushë beteje të madhe Ekzekutivit me Presidencën, zhvilluar me masën e madhe të projektligjeve të kthyera prej këtij të fundit dhe që kulmoi me narracionin e ngritur të z. Meta kundër Ramës dhe anëtarëve të tjerë të Partisë Socialiste e anasjelltas.

Nuk është vendi për të folur për leksikun dhe metaforat e shëmtuara, që përveç Metës në shumicë u përcollën jo pak herë dhe nga Rama, por është vendi për të folur ndoshta për kërcënimet e tij, që e transformuan nga një president në një njeri krejt të pakontrolluar. Dhe ky realitet tregon se Reforma e nevojshme në Drejtësi duhet të shprehet kur t’i vijë rradha. Edhe pse procesi i saj i stërgjatë po sjell dhe probleme, përballë tashmë do ketë gjykimin e shpejtë të Çështjes “Meta”, e cila do të tregojë realisht sesa i ndërgjegjshëm është ky institucion për fatet e vendit. Duke pasur parasysh edhe faktin se ashtu si Meta me gjasa edhe kolegu i tij paraardhës Berisha pas shpalljen non grata nga Departamenti, përballen tashmë me sfida, kemi një lloj prizmi tjetër sesi po shikohet Shqipëria, pas urdhrit Ekzekutiv të presidentit Biden dhe jo vetëm. Njerëzit duhet të kenë më pushtet.

Sot kemi humbur një president, për të cilin duhet fajësuar edhe maxhoranca me zgjedhjen e saj, edhe pse ishte ajo që po sot e shkarkoi, ashtu si humbëm për fat edhe modelin që nuk duhet ta zgjedhim më. Tashmë u takon shqiptarëve ta sjellin vetë presidentin, sepse shqiptarët asnjëherë nuk kanë votuar si duhet për presidentin e tyre. Qysh më 31 janar 1925, kur Ahmet Zogu zgjidhet President dhe de jure Shqipëria ishte Republikë Parlamentare, por de facto ishte Republikë Presidenciale, mbasi Presidenti ishte edhe Kryeministër, shqiptarët panë se çfarë do të thoshte pushteti i pakufizuar. Zogu u shndërrua brenda pak kohe në mbret me fuqi të pakufizuar. Presidenti i kohës së komunizmit Haxhi Leshi qëndroi për gati 30 vjet në një post krejt honorofik, ku Partia e Punës diktonte mbi Ekzekutivin. Ramiz Alia dha dorëheqjen i detyruar në demokraci, kur u përball me një realitet që nuk shkonte dhe po ashtu edhe z.Berisha, që e pasoi, për amullinë që i fali vendit.

Shqipëria duhet t’i kthehet realisht shembullit evropian të zgjedhjes së presidentit, bash atij që ekziston sot në Francë, Austri, Finlandë, Portugali, Poloni, Çeki, Rumani, Bullgari, Maqedoni, apo edhe në disa vende të tjera ku aplikohen formula interesante e ku vlerësohet vetëm vota e popullit. Mbi të gjitha, tashmë na duhet një ligj i ri i cili duhet të vendosë këtej e tutje për të ardhmen e pushtetit të presidentit. Ky i fundit duhet të referojë për çdo shqetësim të tijin në institucionet përkatëse dhe kur ato të shprehen mund të shprehet. Akuzat e lodhshme të bezdisura të presidencës së Metës na kanë futur realisht përçarjen në vend dhe ka ardhur koha të ndalohen. Dhe, jo më kot komisioni parlamentar që e hetoi e fillon malin e akuzave për presidentin që nga të drejtat e njeriut dhe vazhdon më tutje deri te uniteti kombëtar. Larg të gjithave, Meta na bëri një nder të madh, këtej e tutje duhet të jetë vetë votuesi shqiptar që duhet ta zgjedhë presidentin. Jo partitë! Na e jepni, pra, të paktën këtë të drejtë! /Javanews

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.