Plator Nesturi

PRITSHMËRITË NGA DREJTËSIA

Nga PLATOR NESTURI

Raportimi i drejtuesve të insitucioneve të drejtësisë në parlament gjatë ditës së djeshme, kaloi jo me vëmnedje mediatike. Më shumë tërhiqte aspak dilema nëse do të ish sërish në krye të PD Lulzim Basha, kur kjo nuk desh as kandar për ta vënë në dyshim. Kështu pra, protagonist mediatik i djeshëm ish Jemin Gjana, si kryetar i Komisionit të zgjedhjeve në PD dhe që i mbajti me meritë në të njëjtin standart zgjedhjet brenda selisë blu. Për drejtësinë, që në të gjitha sondazhet renditet si temë kryesore dhe me rëndësi në jetën e qytetarëve, u mjaftua si lajm vetëm ndonjë deklaratë e Murrizit dhe e Ballës gjatë diskutimeve në parlament. Gjithsesi, raportimi i drejtuesve kryesorë të drejtësisë vjen në një moment të veçantë. Pas një periudhe të gjatë e të shoqëruar me shumë probleme të reformës në drejtësi tashmë institucionet e reja janë një realitet. Në këtë aspekt dhe pritshëmria mbi to është është e madhe. Mbrojtja ligjore që kanë siguruar në ushtrimin e funksioneve, duke patur një ndarje nga influencat politike, duhet ti shndërrojë më të motivuar në përmbushjen me profesionalitet të kompetencave që iu janë dhënë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Janë këto fenomene aq shqetësuese dhe pengesë në mirëfunksionimin demokratik të vendit që ishin shtysa për reformën e bërë dhe prodhimin e superprokurorëve dhe supergjyqtarëve. Dhe kjo me idenë se një e keqe e madhe duhet luftuar me superkompetenca të organeve të drejtësisë. Tashmë duhen thjesht rezultate dhe ato të jenë konkrete sidomos ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar e të lidhur me politikën. Reformimi i brendshëm, vijimi i procesit të vetingut që mund të nxjerrë në breg shumë nga ata që nuk justifikojnë pasuritë dhe nisja e bashkërendimit më efikas midis vetë institucioneve të luftës ndaj krimit, natyrisht duan kohën e tyre por kjo kohë nuk duhet të fluturojë. Është lajm i mirë kur sipas raportimit në Kuvend mbi 70% e rasteve në SPAK kalojnë në ndjekje ligjore, çka është një shifër e lartë, por tashmë pritet që shpata e drejtësisë të mos rrijë e varur. Është koha për të goditur. Ndryshe do të kemi prodhuar thjesht superprokurorë e supergjyqtarë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.