PRESIDENTI, NEGOCIATAT PARA KAMERAVE SI REKORD GUINNESS

Nga Lutfi Dervishi

Zgjedhja e Kryetarti të shtetit nga një moment solemn, po kthehet në një teatër banal ku gjithkush rreket të përfitojë dhe i humburi i vetëm me gjasë do të jetë shtetari i parë i ardhshëm.

Negociatat live para kamerave mund të jenë propagandë, mund të jenë breaking news, mund të jenë lajm, mund të jenë befasi, mund të jenë çudi, mund të rezultojnë edhe në mrekulli, mund të jenë gjithçka, përveçse negociata.

Marrëveshja është synimi i negociatave. Por a mund të arrihet ujdi me transmetim live?

Nëse arrihet këtë radhë ky do të jetë rekord guinness dhe leksion me vlerë për teknikat e negocimit. Gjuha e trupit, toni i bisedës, predispozita janë krejt ndryshe kur negociohet në mirëbesim dhe pa praninë e kamarave. Me kamera negociatat nuk dallojnë shumë nga fjalimet në Parlament, nga kushtrimet në sheshe, nga ligjëratat në selitë e partive, apo llomotitjet në studiot televizive.

Shtatë nga tetë presidentët e zgjedhur pas ndryshimit të sistemit janë zgjedhur nga shumica parlametare. Jo nga opozita! I vetmi rast kur opozita diktoi kandidatin e saj ishte viti 2002. Dhe Presidenti që doli nga negociatat pa kamera, rezultoi dhe më i miri i 32 viteve tranzicion.

Shumica e majtë në atë kohë ashtu sikudër edhe sot i kishte votat për të zgjedhur vetë Presidentin. Por ishte kushtëzuar nga “zgjerimi i fitores” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Faktori ndërkombëtar jo vetëm këshilloi dhe këmbënguli, por edhe paralajmëroi shumicën në atë kohë se Presidenti duhet të zgjidhe në konsensus të plotë me opozitën.

Negociata nisën me kriteret. Kriteri kryesor ishte të zgjidheshin një kategori njerëzish që në kuptimin më të mire i kishin “shërbyer” të dy palëve dhe vendit, pra kandidatë nga diplomacia, ushtria, njerëz me integritet nga gjyqësori, akademia etj. Pas këtij kriteri u përpiluan lista. Natyrshëm radha e propozimit i takonte shumicës dhe ashtu ndodhi. Kandidati i shumicës u tërhoq. Dhe pjesa tjetër është historia e Presidentit Moisiu! Një kujtesë: në tavolinën e negociatave, nuk kishte ekspertë apo të deleguar, por ishin ulur vetë kryetarët e partive.

Këtë radhë, nuk bëhet fjalë për negociata, por për teatër. Pala e shumicës (z. Balla me shokë nuk e di kush do të jetë Presidenti ardhshëm dhe pala përballë nuk di as se kush mund të jetë kandidat për President).

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.