Plator Nesturi

NJË NISMË ME INTERES TË KRYEQYTETASVE

Nga Plator NESTURI

Një nismë e fundit e Bashkisë së Tiranës na kthen vëmendjen jo mbi temat e rënda e plot plot përplasje të botës së politikës, por për çështje më të thjeshta që gjithsesi ndikojnë direkt në jetën e përditshme të qytetarëve.

Fjala është për projektin e saponisur që sjell një frymëmarrje të re në sistemin parashkollor dhe që shton në mënyrë të ndjeshme mundësitë për femijët të moshave për çerdhe dhe kopshte. Në një qytet si Tirana që zmadhohet dita-ditës, pavarësisht shtimit të numrit të shkollave e kopshteve në këto vite, jemi realistë se kur vjen koha e shtatorit për sistemimin e fëmijëve, për prindërit ka shumë kokëçarje për të siguruar vendet në kopshte e çerdhe. Madje dhe ndërhyrje.

Me iniciativën e re të Bashkisë së Tiranës, ky fenomen jo vetëm zbutet ndjeshëm, por jep një zgjidhje më optimale për vetë prindërit, ndërsa fëmijët e tyre mund të sistemohen pranë qendrës së punës ku janë të punësuar.

Këshilli Bashkiak miratoi para dy ditësh marrëveshjen e parë me një kompani private në kuadër të nismës “Çerdhe dhe kopsht pranë vendit të punës”, referuar praktikave më të suksesshme perëndimore. Dhe ky projekt pilot synon së pari lidhjen e kontratave të ngjashme fillimisht me kompanitë e mëdha të biznesit në Tiranë dhe do të mbështesë jo vetëm fëmijët dhe familjen, por njëkohësisht do të jetë një model alternativ i shërbimit parashkollor publik, në funksion të mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve.

E gjithë kjo do të sjellë një shfryrje të trysnisë në një qytet gjithmonë në rritje dhe kështu mund të ketë një rishpërndarje më efikase e më në interes të qytetarit për regjistrimin e fëmijëve sistemin parashkollor publik.

Sipas projektit, këto ambiente do të jenë nën menaxhimin e Bashkisë së Tiranës që me përzgjedhjen e stafit, planifikimin dhe ngritjen e shërbimit të kujdesit dhe edukimit, si dhe monitorimin e aktivitetit të çerdheve dhe kopshteve pranë vendit të punës.

Ndërkaq, kompanitë dhe bizneset do të sigurojnë shërbimin parashkollor sipas standardeve për fëmijët e stafit të tyre, duke marrë përsipër financimin dhe çdo shpenzim tjetër operacional, nëpërmjet një kontrate të detajuar me Bashkinë Tiranë, që nga ndërtimi dhe pajisja e godinës, deri te pagesat për ushqimin e fëmijëve dhe pagat e punonjësve të përzgjedhur nga Bashkia Tiranë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.