NJË DEMAGOG I PANDREQSHËM, I PAAFTË, MËKATAR DHE ENDE I RREZIKSHËM

Nga Fatos TARIFA

Në rrethana të tjera nuk do të kisha marrë mundimin t’i shkruaja këto radhë. Por ja që, krejt rastësisht, dy a tri ditë më parë, në një studio televizive pashë Sali Berishën dhe, nuk e di pse, bëra durim ta dëgjoj për disa minuta.

Jo deri në fund. Ta dëgjosh për një kohë të gjatë kur flet ky njeri duhet të jesh ose patologjikisht naiv – siç është ai vetë një gënjeshtar patologjik – ose një njeri trushpëlarë, që nuk e vë në punë aftësinë e vet për të arsyetuar.

Nuk mbaj mend se kur e kisha dëgjuar të fliste për herë të fundit Sali Berishën, por duhet të ketë qenë shumë kohë më parë. Ndoshta një vit e gjysmë më parë, në revoltat e dhunshme të opozitës, pasi ajo u largua nga Parlamenti, në fillim të vitit 2019.

Aq pak sa e dëgjova të fliste këtë herë, në atë studio televizive, Berisha më bindi edhe një herë për ato çka unë i kam ditur përgjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit – se ky njeri është një demagog i pandreqshëm, se ky njeri është shumë i paditur, se ky njeri është i paaftë që të arsyetojë në mënyrë racionale dhe, prandaj, përdor sofizma (nënteksti i të cilave lexohet lehtësisht), dhe se ky njeri është një politikan mëkatar dhe ende i rrezikshëm.

Në ato pak minuta që e dëgjova Sali Berishën i bëja vetes këto pyetje: Si është e mundur që e kemi “zgjedhur” këtë njeri të jetë kreu i shtetit tonë dhe kreu i qeverisë që e ka drejtuar vendin tonë për një kohë kaq të gjatë—plot 13 vite?

Si është e mundur që e kemi lejuar këtë njeri të bëjë çfarë dhe si ka dashur me këtë vend? Si është e mundur që e lejuam këtë njeri të kthehej në politikë dhe të merrte frenat e qeverisë edhe pas tragjedisë që ai i shkaktoi këtij vendi dhe këtij populli në vitin 1997? Si është e mundur që ka ende njerëz që i besojnë këtij njeriu, i shkojnë pas dhe e duan sërish në politikë?

Ka vërtet diçka që nuk shkon në tërë këtë histori, e cila flet për një psikozë gjerësisht të përhapur në një popullatë kaq shumë të fragmentarizuar e të përçarë—deri tridhjetë vite më parë nga një sistem komunist, i cili instigoi “luftën e klasave”, dhe, deri vonë, nga vetë politikat e ndjekura nga Berisha—sa e bëjnë të vështirë të kuptuarit e një dukurie të tillë.

Sa kohë që politika shqiptare dhe vullneti i qytetarëve të këtij vendi janë treguar tërësisht të paaftë ta nxjerrin jashtë loje një individ si Sali Berisha, të cilin unë me kohë e kam cilësuar si një “fatkeqësi kombëtare”, mbetet vetëm të presim që, atë çka deri më sot nuk e kanë bërë dot një politikë demokratike konsekuente dhe ligjet e një sistemi drejtësie të korruptuar, ta bëjë ligji biologjik, njëlloj i hekurt për të gjithë njerëzit.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.