NE JEMI ME POLICINË. PO POLICIA ME KË ËSHTË?

Lutfi DERVISHI

Si ndodhi që figura e policit është zhvendosur nga rubrika e satirës dhe humorit te kronika e zezë?!Nuk po u referohem vetëm rasteve të fundit të Himarës apo Laprakës ku policët janë kthyer në vrasës, nuk po u referohem as vendeve të tjera dhe as filmave ku ndodh që polici është në anën tjetër të ligjit.

Pyetja është: sa ka depërtuar krimi i organizuar në polici? Cili është ndikimi i tij në nivelet e larta të policisë së shtetit?Në kushtet kur krimi ka penetruar në politikë, në Parlament, në drejtësi, në administratë, sa shanse ka që policia të ketë qenë imune? ZERO!

Dhe mjafton vetëm çështja e hashashit (2017) ku SHISH denoncoi 120 oficerë policie të përfshirë në trafik, mjafton dënimi i zyrtarëve të lartë të policisë për trafik narkotikësh, mjafton përfshirja e oficerit të policisë në zgjedhje në Dibër apo përfshirja e drejtorit të Përgjithshëm të policisë në fshehje dhe manipulimin në ngjarjen e Elbasanit në prill 2021, për të thënë që kemi një problem të madh te “koka e policisë”

Pyetja është: sa është gjerësia, thellësia dhe perimetri i infiltrimit të krimit në policinë e shtetit?

Në fund të vitit 2016, IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndermjetesim) publikoi një studim: integriteti dhe korrupsioni policor në Shqipëri. Studimi 18-mujor (maj 2015-nëntor 2016) vinte në dukje praninë e korrupsionit në nivelet e larta drejtuese të policisë. Ky përfundim u arrit nga pyetësori i realizuar brenda trupës policore.

Reagimi?!

Një sulm brutal nga drejtuesit politikë të policisë dhe madje edhe një letër për trupin diplomatik për “manipulim të rezultateve” dhe keqpërdorim të taksapaguesve evropianë.

Drejtuesit e policisë, për turpin e tyre, sepse koha i nxori lakuriq, nuk e quajtën studim, por deklaratë politike. Nëse do të ishin marrë seriozisht gjetjet mund të kishin bërë ndonjë punë me të mirë, por siç duket plani ka qenë hashashizimi.

Logjika e fshehjes, manipulimit, kundërsulmi që këto janë sulme politike ndeshet pothuaj në të gjithë ngjarjet e rënda ku është përfshirë policia. Dhe pas çdo ngjarje të rëndë lëvizjet në polici bëhen sipas parimit: “drejtorë ishim, drejtorë mbetëm”. Ikën Hasani dhe vjen Hyseni! Hasani shkon ku ishte Hyseni! Në kulmin e popullarizimit të fjalës vetting u fol dhe për vettingun në polici.

Jo për të gjithë policët, por për drejtuesit. Pyetje retorike: pse u sabotua vettingu në polici? Sa persona kaluan vettingun? A do të rinisë vettingu? Pse testi i drogës nisi dhe nuk bitisi? A do të rinisë testi drogës? Po kështu, me gjurmët e gishtave në 2013-n. Kur po dilnin shumë të daktiloskopuar nga policitë evropiane, kontrolli u ndërpre. Do të rinisë ky proces? Në Interpol Tirana para pak vitesh u emërua një person i skeduar për drogë në një vend perendimor. Pati brerje ndërgjegje në vetvete dhe u dorëhoq. Përndryshe do të vazhdonte punën i qetë aty.

Policia ka vuajtur historikisht nga kontrolli politik dhe po vuan nga kontrolli/ndikimi i krimit. Policia mbetet sot institucioni më i pa reformuar. “Ne jemi gurët, ju sipër nesh jeni uji! Uji ikën, ne mbetemi”, thoshte një polic për drejtuesit politikë që shkojnë dhe vijnë.

Sado e përsosur të bëhet drejtësia e re, pa policinë është si pedale pa zinxhir. Është policia që i jep lëndën e parë Drejtësisë. Nëse policia ofron krunde mos të presim që Drejtësia të nxjerrë nga furra e saj “bukë gruri”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.