NA DUHET NJË STRATEGJI PË RUSINË POST-PUTIN

Nga Edward LUCAS*

Nuk është koha të shqetësohemi për Rusinë. Ukraina po lufton për mbijetesën e saj, dhe për lirinë kudo në botë. Prandaj, të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në mbledhjen e parave për ndihma humanitare, informimin në detaje të opinionit publik botëror për atë që po bën Rusia në Ukrainë, presionin ndaj qeverive perëndimore për furnizimin e Ukrainës me armë dhe municione, dhe për akte të tjera solidariteti.

Ky argument është shumë joshës por i gabuar. Vuajtjet që po përjeton aktualisht Ukraina janë kryesisht rezultat i dështimit strategjik të Perëndimit. Së pari, ne e keqkuptuam shembjen e Bashkimit Sovjetik. Atëherë nuk e nuhatën dot erën e keqe të imperializmit dhe autoritarizmit që qëndronte mbi shtetin e ri rus, që ne supozonim se ishte demokratik dhe miqësor me Perëndimin.

Po ashtu ne shpërfillëm kryesisht për shkak të lakmisë sonë, korrupsionin dhe gangsterizmin e shtetit rus. Qasja jonë bazohej në të menduarit e dëshiruar, dhe u zbatua me një vetëkënaqësi mbresëlënëse. Vendet perëndimore nuk duhet ta bëjnë sërish një gabim të tillë.

Ne duhet të vendosim objektiva dhe prioritete që duhet t’i arrijmë. Duhet të kuptojmë se çfarë sakrificash dhe rreziqesh jemi të përgatitur të përballemi gjatë muajve, viteve dhe dekadave të ardhshme. Këtë duhet ta kishim bërë që në vitin 1991. Por tani nuk duhet të vonohemi akoma më shumë.

Motoja kryesore e qëllimit tonë duhet të jetë dekolonizimi. Në vend se të fokusohemi ngushtësisht tek “ndryshimi i regjimit” apo tek personaliteti i Vladimir Putinit, të gjitha vendet që duhet të përballen me Rusinë, duhet ta kenë parasysh këtë synim afatgjatë.

Rusia do të jetë në paqe me veten dhe fqinjët e saj, vetëm pasi të heqë dorë nga mendësia e saj perandorake, me efektet e saj të tmerrshme, si në marrëdhëniet e shtetit me popullin e vet ashtu edhe në trajtimin e fqinjëve të saj. Represioni në vend dhe agresioni jashtë tij, burojnë nga e njëjta qasje, e cila vlerëson fuqinë dhe lavdinë mbi ligjshmërinë, lirinë, dinjitetin dhe pëlqimin.

Ky transformim tronditës, mund të vijë si pasojë e dobësisë ekonomike (siç ndodhi me Britaninë e Madhe pas luftës), nga dështimet ushtarake (rasti i Francës) apo për shkak të disfatës katastrofike (Gjermania e pas 1945). Prandaj, tani për tani, prioritet duhet të jetë sigurimi i fitores ushtarake të Ukrainës kundër pushtimit të Kremlinit.

Nëse Putin do të ketë mundësi të dalë nga kjo luftë me përfitime territoriale, ai do të pretendojë se lëvizja e tij u shpërblye, dhe makineria perandorake e luftës do të jetë më e fortë, dhe jo më e dobët. Por strategjia jonë duhet të ketë edhe elementë të tjerë.

Njëra është krijimi i strukturave zëvendësuese jashtë vendit për të konkurruar me hegjemoninë kulturore, ideologjike dhe kishtare të Kremlinit. Disa nga studiuesit më të dalluar që merren me Rusinë, si historianët Timothy Snyder dhe Alexander Etkind, po përpiqen të themelojnë një Universitet të ri të Evropës Lindore, ku mund të japin mësim, hulumtojnë dhe studiojnë lirisht rusët dhe bjellorusët.

Ndërsa jeta akademike e Rusisë po degradon nën mbikëqyrjen e FSB-së, ky hap do të ishte një kundërpeshë e fuqishme. Një prioritet tjetër i menjëhershëm, është krijimi i një autoriteti alternativ kishtar për të krishterët ortodoksë rusisht-folës, të cilët janë shkëputur nga Patriarkana e Moskës.

Kishat disidente në Lituani dhe gjetkë, po kërkojnë tashmë një seli qendrore të re. Zgjedhja e dukshme do të ishte Patriarkana Ekumenike në Kostandinopojë (Stambolli në toponominë laike). Kjo e fundit ka ngjallur tashmë zemërimin e Moskës, pasi e mirëpriti në gjirin e saj Kishën Ortodokse të Ukrainës.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Kisha Ortodokse Ruse në mërgim, ishte një konkurrente e dobishme për kishën e dominuar nga KGB-ja brenda Bashkimit Sovjetik. Ne kemi tani nevojë për diçka të ngjashme.

Por diaspora e re ruse paraqet si mundësi ashtu dhe vështirësi.

Këta emigrantë të rinj mund të jenë kundër luftës së Rusisë, por ata nuk janë domosdoshmërisht aleatë në kauzën e dekolonizimit (gjeorgjianët, lituanezët, letonët dhe të tjerë, kanë shumë histori të imperializmit të pavetëdijshëm të këtyre emigrantëve rusë). Megjithëse largimi i më të arsimuarve e dobëson qartazi ekonominë ruse, emigracioni është gjithashtu një valvul sigurie për Kremlinin.

Sa më të lehtë ua bëjmë jetën rusët që jetojnë jashtë vendit, aq më pak gjasa ka që ata të kthehen një ditë në shtëpi dhe ta rrëzojnë regjimin aktual. Megjithatë, nëse ndihen të trajtuar keq, keqardhja e tyre për veten do ta intensifikojë ndjenjën nacionaliste. Dilema të tilla morale dhe strategjike janë të shumta. Për më tepër kjo është arsyeja, pse me to duhet filluar që të përballemi që tani.

Anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA). Ai ka qenë më herët redaktor i “The Economist” dhe ka mbuluar për shumë vite çështjet e Evropës Qendrore dhe Lindore

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.