DREJTËSI APO SHPAGIM PËR MATEON?

Nga Çapajev GJOKUTAJ

I kuptoj familjarët e 8-vjeçarit që u godit në kokë me lopatë nga një 38-vjeçar dhe pastaj, për t’ia hedhur paq me shoqërinë dhe drejtësinë, u gropos shpejt e shpejt në baltën përbri shtëpisë.

I kuptoj kur kërkojnë dënim me vdekje për monstrën. Ta kesh fëmijën mirë e më mirë, të gjallë, të bukur e të pafajshëm si qëngj dhe në çast të përfundojë i groposur në baltë! Përballë këtij absurdi makabër të erren sytë dhe thuajse instiktivisht kërkon shpagim.

Por e ke vështirë të kuptosh qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që thërrasin ‘Drejtësi për Mateon’ dhe e ngushtojnë këtë tek dënimi me vdekje për vrasësin. Natyrisht dënimi është pjesë e rëndësishme e drejtësisë, por marrë i veçuar dhe i parë si qëllim final tjetersohet e bëhet hakmarrje e thjeshtë dhe mbase edhe primitive.

Drejtësia për Mateon dhe gjithë minorenët që nëpërkëmben, diskriminohen dhe hera herës përdhunohen, madje edhe vriten është shumë më e gjerë e më komplekse sesa një ekzekutim.

Nesër do kemi prapë Mateo të vrarë nëse organet e rendit dhe të drejtësisë nuk do punojnë me rrënjë e me themel kundër keqbërësve, kriminelëve e psikopatëve; per t’i ndeshkuar por edhe për t’i reabilituar. Jo thjesht të bëjnë sikur i gjykojnë e dënojnë dhe sa hap e mbyll sytë t’i lirojnë për arsye që s’dihen por merren me mend.

Nesër do kemi prapë fëmijë viktima nëse komunitetet, në fshat a qytet qofshin, do mbyllin sy perpara individëve problemorë dhe do mendojnë se i takon policit t’i ketë nën mbykqyrje. Pa bashkëpunimin me komunitetin s’ka instrument shtetror që ia del të zbulojë e të parandalojë krimet e paudhesitë.

Nesër do të kemi prap fëmijë të rrezikuar e të deformuar nëse prindërit nuk do t’i ndergjegjesojmë dhe edukojmë të kujdesen për fëmijët në çdo aspekt, duke nisur nga siguria fizike e mirëushqyerja e duke ardhur tek arsimimi dhe edukimi qytetar.

Drejtësia për Mateot do të jetë e vertetë dhe gjithpërfshirëse kur të mos mbetet thjesht dëshirë për shpagim, por të synojë të kthehet në drejtësi sociale që i siguron çdokujt akses të barabartë në të drejtat ekonomike, politike e sociale.

Thellimi galopant i dallimeve mes të kamurve dhe të varfërve, mes qytetit dhe fshatit, mes parisë politike dhe qytetarëve është shenjë se nesër bashkë me Mateot mund të vriten, priten e shperbëhen edhe indet që na mbajnë lidhur si popull e si shoqëri.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.