DO TË TRIUMFOJMË!

Nga Omer AJDINI

Organizimi politik rinor gjithmonë ka bërë mrekullitë të cilat nuk janë imagjinuar se mund të ndodhin. Mjafton të rikujtojmë Revolucionin e Kadifesë në Çekosllovaki në vitin 1989 në të cilin qindra mira studentë u mblodhën në shesh dhe protestuan për 13 ditë të tëra, duke mundësuar kështu rrëzimin e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Shembuj si ky ka gjithandej, sepse fuqia, vrulli dhe vendosmëria rinore gjithmonë e kanë çuar përpara zhvillimin njerëzor dhe kjo do të vazhdojë të ndodhë sa të jetë njerëzimi. Pyetja është kur dhe si ndodh ndryshimi i nevojshëm?!

Analiza e cilit do ndryshim që është bërë nga të rinjtë tregon që ndryshimeve zakonisht u kanë paraprirë disa parakushte. E para, ka ekzistuar një problem i qartë i cili ka qenë relativisht lehtë i identifikueshëm. E dyta, ka ekzistuar njëlloj pakënaqësie tek të rinjtë, të cilët edhe pse të paorganizuar në fazën fillestare, e kanë ndjerë dhe e kanë identifikuar burimin e pakënaqësisë së tyre dhe nuk kanë pasur alternativë tjetër përpos përballjes me të ose nënshtrimit. E treta, dhe ndër më të rëndësishmet, ka dalur dhe është etabluar një lidership i fortë i cili ka bërë qartësimin e problemit, trasimin e rrugës si dhe frymëzimin dhe organizimin e bashkë-aktivistëve dhe popullit, i cili pastaj ka bërë sakrificën e nevojshme dhe ka mbajtur gjallë dëshirën dhe ëndrrën për ndryshim deri sa ai ndryshim ka ndodhur.

Edhepse jetojmë në një kontekst më të butë, sot nevoja për organizimin tonë rinor është eminente edhepse jo aq e lehtë. E mira e kontekstit tonë është që problemi tek ne është lehtë i identifikueshëm: keq-qeverisja 20 vjeçare e cila ka nëpërkëmbur të gjitha institucionet dhe ka bërë shtetin të pa-jetueshëm për të rinjtë. Pra kushti i parë plotësohet. Në anën tjetër, të rinjtë po ashtu e ndjejnë pakënaqësinë nga kushtet të cilat u janë krijuar në shtetin e tyre sepse mbi 50% e tyre janë të papunë e 25% e tyre nuk janë as në shkollë, as në punë as në trajnim. Pra ekziston edhe parakushti i dytë që të fillojë ndryshimi i situatës. Megjithatë, këtu situata fillon dhe komplikohet. Ekzistenca e mundësisë relativisht të lehtë për migrim vështirëson organizimin e mirëfilltë dhe mobilizimin masiv rinor i cili do të sjelltë ndryshimin e nevojshëm dhe të shumëpritur, sepse është e natyrshme të mos vendosësh të qëndrosh dhe të përballesh me krimin dhe korrupsionin në Maqedoninë e Veriut duke pasur mundësinë e punësimit dhe mirëqenies më të mirë në Gjermani!

Është për t’u habitur se edhe pse në përgjithësi participimi politik i të rinjve në rajon është i ulët dhe në rënie, çuditërisht në Maqedoninë e Veriut shkalla e daljes në votime e të rinjve është relativisht e lartë. Sipas një hulumtimi të FES (Frederich Ebert Stiftung) të bërë në vitin 2019, 88.7% e të rinjve deklaruan që kishin votuar në zgjedhjet e fundit, një përqindje jashtëzakonisht e lartë në krahasim me vendet tjera të rajonit dhe poashtu më e lartë se shkalla mesatare e daljes në votime në cilindo cikël zgjedhor këtu tek ne. Pra ne lirisht mund të konkludojmë që të rinjtë nuk është që nuk kanë interesim për politikën; përkundrazi, ato interesohen dhe dalin të votojnë, mirëpo duket që janë të kyçur më shumë në procesin e votimit si makineri votimi sesa në procesin e krijimit të politikave dhe marrjes së vendimeve. E meqë për një kohë të gjatë tek ne nuk u përmbys sistemi i instaluar i krimit dhe korrupsionit, kjo edhe mund të jetë sinjal që ndoshta dalja e të rinjve për të votuar mund të jetë jo nga vetëdija e tyre demokratike dhe dëshira për të ndryshuar sistemin, por thjeshtë nga klientelizmi e nënshtrimi dhe dëshira për ta ruajtur status kuonë.

Pra kjo na sjell tek parakushti i tretë i ndryshimit, i cili duhet të vije nga të rinjtë: lidershipi i cili artikulon pakënaqësinë dhe mobilizon të rinjtë për ndryshim. Ashtu siç e thamë edhe më lartë, ikja masive e të rinjve e vështirëson mobilizimin e nevojshëm dhe krijimin e një mase kritike e cila do të sillte përmbysjen e kriminelëve dhe të korruptuarve, sepse ata të cilët duhej të ishin këtu dhe të përballeshin me to janë në Gjermani e gjetiu. Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e atyre të cilët kanë ngelur këtu janë të nënshtruar ndaj sistemit i cili u ka siguruar një mirëqenie të mangët dhe i mbanë të shtypur dhe të nënshtruar, dhe i detyron të participojnë në zgjedhje jo si agjent të vetvetes, por si makineri e cila siguron prolongimin e ndryshimit të nevojshëm.

Megjithatë shpresa nuk duhet humbur. Të rinjtë e opozitës shqiptare së bashku me sektorin civil dhe gazetarët e mirëfilltë një ditë do të triumfojnë. Ajo ditë edhe mund të vonohet, mirëpo nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit që e keqja të jetojë përgjithmonë, respektivisht kur ajo është trashur aq shumë sa është trashur e keqja tek ne. Pra një ditë dhe shumë shpejt ndryshimi do të ndodhë, e këtij ndryshimi jam i sigurt që do t’i prijë rinia e cila po vuan më së shumti nga pasurimi marramendës i qeveritarëve dhe oligarkëve të pangopur. /Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.