“DERBY” I GOLIT DHE TRITOLIT

Nga Edi OGA

Beteja për Federatën Shqiptare të Futbollit po i ngjan një ndeshje ‘Derby’, ku ti nuk je tifoz me asnjë palë. Ti mezi pret që kjo “dreq ndeshje” të mbarojë sa më shpejt, sepse përveç tollovisë, sikletit dhe ankthit, nuk të jep asnjë ndjesi të mirë.

Ashtu si në një ndeshje “derby”, pjesa sportive del në plan të dytë. Në plan të parë del përplasja verbale dhe shpejt më pas, pothuajse gjithnjë, përplasja fizike. Ndeshja për “trofeun” Federata Shqiptare e Futbollit, tashmë ka hyrë në fazën e luftës, por në ndryshim nga një ndeshje “derby”, luftën nuk po e bëjnë tifozët, as lojtarët në fushë, por drejtuesit dhe padronët. Fjalët, sharjet, ofendimet dhe kërcënimet kanë mbaruar. Tani kemi hyrë në fazën “piroteknike”!

Ç’taksirat kemi ne që nuk jemi me asnjë palë, ne që nuk kemi votuar për asnjë nga ata që po kacafyten? Nëse ka shtet, është koha që ai të ndërhyjë energjikisht për të ndaluar dhunën eventuale, e cila na trishton dhe na mbulon me turp kombëtar. Të gjithë e kuptojnë që kjo është një luftë për pushtet dhe para, por palët duhet të ulen për të prodhuar një zgjidhje paqësore, në të kundërt, u bëftë urimi i kryeministrit, “kokat hëngshin”! /abcnews.al

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.