Zef Mazi: Arsyet e Francës për mosndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE

Intervistë me Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për Integrimin në BE

Pyetje: Në një intervistë me Euroneës Shqipëri, Ambasadorja e Francës në vendin tonë tha se “në procesin integrues Shqipëria nuk mund të ndahet nga Maqedonia e Veriut. Duhet tejkaluar idea se vendet mund të vecohen“. Cili është komenti yt?

Përgjigje: Franca, që sapo ka marrë Presidencën e Këshillit Evropian, ka vendosur prioritetet e saj si Presidente e radhës. Shpresojmë që zgjerimi të jetë lart në axhendën e kësaj Presidence. I urojmë suksese Presidencës franceze të BE-së.

Në prioritetet e paraqitura nga Presidenti i Francës, nuk duket se integrimi i kandidatëve aktuale është përmendur. Bëhet fjalë vetëm për një konferencë për bashkëpunimin rajonal ballkanik. Nuk jam në gjendje tani për tani të zbërthej çfarë nënkuptohet me të, është komplementare me integrimin apo në vend të tij, idea mbetet e paqartë.

Ndërkohë bëhet fjalë për rritje të autonomisë të BE si mekanizëm i ri i mundshëm. Si do qëndrojë kjo, e zberthyer në detaje të përmbajtjes, deri ku shkon, çfarë përfshin në raport me NATO-n, është e paqartë.

Janë shumë elementë në ato prioritete që duhen analizuar me kujdes, ngadalë, duhen diskutuar ndermjet shteteve anëtare, që të arrihet një emërues i përbashkët konsensual i të 27 anëtarëve.

Sa i përket intervistës mund të them se ambasadorët veprojnë me instruksione nga qendrat e tyre. Integrimi është proces që vazhdon me vite, edhe dekada, deri në anëtarësimin e kandidatëve. Nuk kuptoj se mbi ç’bazë juridike, legjislative, direktive të BE, apo tjetër, mbështetet qëndrimi “ndarja/mosndarja“ e vendeve si Shqipëria e Maqedonia e Veriut!

Duket qartë se në BE ka shtete anëtare që nuk janë entuziastë për integrimin, për futjen në BE të anëtarëve të rinj. Retorikat e përsëritura ndër vite tani duhet t’i lënë vendin veprave, që ne ende nuk po i shohim. Shqipëria i ka përmbushur të gjithë kërkesat dhe kriteret për të filluar negociatat teknike me Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për këtë pikë, për Shqipërinë, sa kam dijeni, dhe besoj e kam të saktë, ka unanimitetin e 27 shtetet anëtare, edhe të Bullgarisë. Për Maqedoninë e Veriut nuk ka unanimitet nga të 27 vendet. Ky është problem politik.

Vetë BE duhet të bëjë ç’është e mundur që të arrihet unanimiteti i të 27 shteteve për MV. Kjo përpjekje, deri sa të zgjidhet ngërci – që mund të kërkojë kohë të gjatë – nuk duhet të pëngojë ecjen përpara të integrimit të Shqipërisë. Integrimi duhet të vijojë. është gabim i madh strategjik i BE nëse procesi do ndalej. Kredibiliteti, retorikat për integrimin, do shvleresoheshin ndjeshëm.

Pyetje: Pse ngul këmbë specifikisht Franca sipas jush, referuar kësaj interviste, por edhe përtej saj, që të mos ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut, kur Shqipëria ka përmbushur kërkesat dhe kriteret?

Përgjigje: Për këtë duhet pyetur Franca. Jemi në një botë reale. Të gjithë kuptojnë mirë. është koha për të dhënë mendime të qarta, pa zbukurime semantike. Nuk dua të evitoj të jap mendimin tim. Shqipëria ka përshkruar rrugë të gjatë, ka bërë shumë progres në vijimësi, pa u ndalur. Ajo vijon të gjithë reformat intensivisht. është deklaruar zyrtarisht, institucionalisht, me shkrim, nga KE, se Shqipëria i ka përmbushur gjithë kërkesat.

Jam në dijeni, shpresoj saktë, se idea e mosndarjes është përdorur për herë të parë nga një shtet anëtar kur Bullgaria dhe Rumania bëheshin gati për t’u anëtarësuar. Njëra prej tyre ishte më përpara sesa tjetra. Për të siguruar që ajo që ishte pak prapa të mos mbetej e tillë për kohë të gjatë, të papërcaktuar, ai shtet nguli këmbë që të dy kandidatët të mos ndahen, të hyjnë së bashku në Bashkimin Evropian. Ky qëndrim shënoi precedentin e përdorimit të “ndarjes“ dhe “mosndarjes“.

Nënvizoj se unë nuk di të ketë ndonjë dokument, vendim apo direktive, apo dicka tjetër, të miratuar unanimisht, zyrtarisht, në Këshillin Evropian, që të kërkojë integrimin apo futjen e kandidatëve në grup! Po të ishte e vërtetë, kjo do të përbënte një ndryshim të madh të vetë mantra-s së zgjerimit të BE: zgjerimi ecën mbi bazën e meritës individuale (të kandidatit). As më shumë, as më pak. Ndryshe, ky parim themelor i zgjerimit të BE-së do të pësonte një gërryerje të madhe. Zgjerimi do shihej me dyshim jo të vogël. BE duhet të shprehet qartë, me argumente juridike, si Këshill, që të jetë e besueshme për këtë pikë. Sot thuhet kështu, nesër ashtu, nga nivele të ndryshme. Si i mendojnë njerëzit dhe vetë vendet kandidatë këto luhatje, qëndrime?

Po e përsëris, është e dukshme që sot nuk duket se ka oreks nga të gjithë për zgjerim. Disa nuk e shohin me simpati procesin. Arsyet janë të ndryshme. Disa kanë zgjedhje në horizont. Për ta, ky është preokupimi, prioriteti numër një. E gjithë administrata duket se punon në funksion të tyre.

Në BE vihet re se ka përpjekje për lidership; ka probleme për këndvështrimin dhe interpretimin e shtetit ligjor, legjislacionit të BE në raport me atë kushtetues kombëtar, migracionin, buxhetin, etj. Nuk përjashtohet që ndonjë shtet anëtar të fshihet pas ”mosndarjes“ për arsye të një ose disa prej arsyeve sa më lart.

Ideale do të ishte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të uleshin të dyja, qysh më herët, në tryezën e Konferencës të Parë Ndërqeveritare. Situata nuk është më e mira. Kryeminsitri ynë e tha qartë, nëse ngërci do vijojë pa zgjidhur, në do konsultohemi me njerëzit dhe do kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut.

Ky është një hap krejtësisht legjitim, kërkesë krejtësisht e justifikueshme juridikisht dhe politikisht. Unë vetëm mund të shpresoj se do mund të marrim një datë për Konferencën. Ne do vijojmë punën, gjithsesi, duke patur mirë parasysh të mos ulim ritmin e punëve, të vijojmë reformat në të mirë të vendit dhe popullit tonë, duke bërë durim, durim!/JAVANEWS

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.