Yuri Kim flet nga Pusteci: Le të zgjedhim shpresën mbi cinizmin

Me disa fotografi nga “MIK Festival” që mbahet në Pustec të Korçës, ambasadorja amerikane Yuri Kim riktheu edhe njëherë vëmendjen në pyetjet e gazetarëve lidhur me Reformën në Drejtësi.

Ambasadorja tha se, pavarësisht cinizmit të disave, reforma në drejtësi po tregon gjithnjë e më shumë rezultate dhe se është kritike tani që populli shqiptar të kërkojë ndryshimin për të ecur përpara.

Gjatë postimit të saj në “Instagram”, Kim ka shkruar edhe mbi bukurinë e vendit tonë, duke theksuar se vendosmëria e njerëzve të tij është frymëzuese.

“Le të vazhdojmë të zgjedhim shpresën mbi cinizmin. Le të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen që Shqipëria meriton”, shkruan ndër të tjera diplomatja amerikane në Tiranë.

“Ishte magjepsëse të dëgjoja këngë popullore shqiptare nga Ansambli ‘Zánat’ në Ishullin Maligrad. Faleminderit Festivalit Mik për bashkimin e artistëve dhe artdashësve. Pas performancës, disa gazetarë pyetën nëse kisha shpresë për Shqipërinë dhe çfarë mendoja për reformën në drejtësi dhe të ardhmen.

Unë u thashë atyre se kam shpresë të pafund në Shqipëri; që megjithë obstruksionizmin dhe cinizmin e disave, reforma në drejtësi po tregon gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë; dhe se është kritike tani që populli shqiptar të vazhdojë të kërkojë ndryshimin, të vazhdojë të ecë përpara së bashku, të mos dorëzohet kurrë.

Unë kam pasur mundësinë të udhëtoj përreth Shqipërisë dhe të takoj shumë njerëz – nga veriu në jug, nga malet në bregdet. Bukuria e këtij vendi, forca dhe vendosmëria e njerëzve të tij janë frymëzuese.

Le të vazhdojmë përpara së bashku. Le të vazhdojmë të zgjedhim shpresën (e cila kërkon shumë punë) mbi cinizmin (i cili për mendimin tim është dembel moralisht dhe intelektualisht).

Le të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen që Shqipëria meriton. Do të jetë punë e vështirë, por ne do të jemi me ju çdo hap deri në të fund”, shkruan ajo.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.