Yuri Kim i bashkohet marshimit sensibilizues dedikuar ‘Tetorit rozë’

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim i është bashkuar marshimit sensibilizues dedikuar ‘tetorit rozë’, me udhëheqëse shqiptare, të mbijetuara të kancerit të gjirit, dhe aktivistë komunitetesh.

Me broshura nëpër duar dhe tullumbace, vajza dhe gra kanë “pushtuar” rrugët e kryeqytetit për të shpërndarë informacion dhe për të  ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë e shëndetit të gjirit.

“Për të 13-in vit rradhazi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara me krenari ka mbështetur këtë aktivitet dhe fuqizimin e grave nëpërmjet shëndetit. Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit përqëndrohet në rëndësinë e edukimit të grave dhe vajzave se si mund të zbulojnë kancerin sa më shpejt dhe të jetojnë jetë të shëndetshme”, shkruan ambasada e SHBA.

Kim i kujtoi pjesëmarrësit se kjo sëmundje nuk do t’ia dijë sa e pasur je, nuk do t’ia dijë ku jeton, nuk do t’ia dijë nëse je e lumtur apo e trishtuar, ajo i ndodh të gjithave ne, mund t’i ndodhë të gjithave ne.

“Prandaj shpresoj që të gjitha ne do ta bëjmë mamografinë. Nuk është e këndshme por duhet ta bëni! Dhe shpresoj që të gjitha ne të nxisim mikeshat tona, mamatë tona, motrat tona, gjyshet tona, vajzat tona që të bëjnë një mamografi”, u tha ambasadorja Kim.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.