Xhebexhia, kreu i ri i Komandës Mbështetëse/ Peleshi: Të gatshëm si anëtarë të NATO

Gjeneral brigade Ilir Xhebexhia mori sot zyrtarisht detyrën e komandantit të Komandës Mbështetëse në Forcat e Armatosura.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj dhe komandantë të forcave të FA.

Në fjalën e tij, ministri Niko Peleshi vlerësoi përkushtimin, seriozitetin dhe profesionalizmin, me të cilin, gjeneral brigade Ilir Xhebexhia ka kryer deri tani detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

“Kjo komandë është e pazëvendësueshme, bën një punë të jashtëzakonshme në atë që publiku e njeh më së shumti rolin përgjatë gjithë vitit të Forcave të Armatosura. Natyrisht që detyra jonë primare është mbrojtja, siguria kombëtare, por ne jemi këtu për të mbështetur edhe operacionet civile në rastet kur nevojitet dhe kur forca jonë e pakrahasueshme me asnjë forcë tjetër, pra forca e FA të Republikës së Shqipërisë është e nevojshme për të shpëtuar jetë njerëzish, për t’i mbrojtur nga pasojat e fatkeqësive të ndryshme, operacione humanitare, operacione civile”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, duke kujtuar se edhe kjo forcë u godit rëndë nga pandemia, e cila i mori jetën gjeneral brigade Ndriçim Sallakut.

“Natyrisht kjo komandë është e jashtëzakonshme nga rëndësia që ka në mbështetjen e operacioneve dhe jashtë vendit, tashmë ka fituar edhe një emër në hapësirën e NATO-s. Njësia jonë EOD, e cila shërben në Letoni prej vitesh me rrotacion çdo 6 muaj është një kapacitet i madh tashmë i njohur edhe nga shtetet e tjera dhe që me të vërtetë ndonëse jemi një vend i ri dhe I vogël në këtë aleancë, në këtë kapacitet specifik kemi bërë emër shumë të mirë edhe kemi marrë falenderime. Kjo është pra rruga, përmes së cilës duhet të ecim, nga njëra anë duhet të forcojmë kapacitetet e brendshme dhe të jemi më të shkathët, më prezentë pranë qytetarëve sa herë që të jetë e nevojshme duke mbështetur operacione humanitare dhe civile, por edhe t’i zbardhim faqen Shqipërisë dhe FA me kapacitetet tona të veçanta si ai EOD ne Letoni, por dhe kudo tjetër. Situata që po kalojmë është një situatë me dinamika, e turbullt herë pas here, me sfida, ndaj ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen, për të mbështetur frontin e parë, siç është dhe misioni i kësaj komande ”, theksoi ministri Peleshi.

Gjeneral brigade Ilir Xhebexhia deri më tani ka shërbyer si Komandant i Forcës Detare, ndërsa më herët ka mbajtur detyra të rëndësishme si zëvendëskomandant në Qendrën e Radiozbulimit, shef sektori i operacioneve dhe stërvitjes në Forcën Tokësore, drejtor i drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm të FA. Ai ka qenë edhe zëvendëspërfaqësues Ushtarak i RSH në NATO si dhe Atashe Ushtarak i RSH në Mbretërinë e Belgjikës, jo rezident në Republikën e Francës”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.