VENDIMI/ Vranë babë e bir në Elbasan, rikthehet dosja e miqve të Çapjave

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të kthejë për plotësim hetimesh dosjen penale që flet për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri, në muajin gusht 2012, në Elbasan.

Vendimi mësohet të jetë marrë dje, kur gjatë zhvillimit të seancës paraprake, trupi gjykues vendosi të mos kalojë për gjykim dy të pandehurit Ervis Bardhi dhe Etjen Cani, për shkak se, sipas gjykatës, hetimi i kësaj dosjeje, kërkon kryerjen e veprimeve të tjera shtesë për disa individë që dyshohet se kanë marrë pjesë në kryerjen e këtij krimi të rëndë që tronditi Elbasanit.

Ervis Bardhi, tashmë me status bashkëpunëtori i prokurorisë, dhe Etjen Cani, u morën të pandehur për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim. Dosja kundër tyre i kaloi për gjykim Gjykatës së Elbasanit, pak muaj më parë.

Nuk dihet ende cilat janë detyrat që gjykata i ka lënë prokurorisë për të plotësuar hetimet. Për vrasjen e Gentian dhe Beqir Nezirit, deri në këtë fazë të hetimit janë arrestuar Ervis Bardhi, Etjen Cani, Jorgo Leku në Greqi, Klajdi Dokoli. Ndërkohë, vijojnë hetimet dhe për persona të tjerë të fisit Çapja, të cilët besohen se kanë lidhje direkte me vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij. Dyshohet se vrasja e tij është kryer në shenjë hakmarrjeje, pasi Gentiani në dhjetor të vitit 2005, së bashku me Armand Hasanin dhe Dritan Shemen, ekzekutuan me armë zjarri shtetasin Sokol Çapja.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.