VOA: Sezoni turistik nis ngadalë në bregdetin jugor të Shqipërisë

Pas një viti pandemie me mjaft sfida, sektori turistik ka nisur aktivitetin me ritme të ngadalta në bregdetin jugor të Shqipërisë.

Në Sarandë dhe Vlorë agjencitë turistike po menaxhojnë grupet e para turistike të huaja, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore.

Vasil Bedini, sipërmarrës në fushën e turizimit, thotë se Qarku i Vlorës ka nisur të japë sinjalet e para pozitive.

“Kemi pasur grupe turistësh nga Ukraina dhe Bjellorusia, e cila nga konflikti, ditët e fundit është mbyllur.

Gjithsesi, qyteti i Vlorës i ka hapur dyert dhe ka pasur lëvizje sidomos gjatë fundjavave me kapacitte shumë të larta”, tha Bedini.

Ndërsa Arben Çipa, një sipërmarrës turistik në Sarandë, thotë se turizmi po jep shenja jete jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në zonat natyrore dhe ato të njohura për trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë, duket se turizmi vendas vijon të mbështesë ekonominë turistike në dy qarqet bregdetare, sidomos në fundjavë.

Në zonën bregdetare nga Vlora në Sarandë është rritur së fundi kapaciteti i hotelerisë, ndonëse ky ishte nga sektorët më të prekur nga pandemia.

Të dhënat zyrtare shqiptare për 4 muajt e parë të këtij viti flasin se hyrjet e shtetasve të huaj mbetën rreth 30% më të ulëta se në nivelet e para pandemisë, ndërsa hyrjet e shtetasve të Kosovës janë 21% më të larta se periudha e para fillimit të pandemisë.

Sektori i turizmit përbën në Shqipëri mbi 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto duke punësuar mbi 200 mijë persona. / VOA

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.