VOA: Nanon e trajnoi FBI, Rama e shkarkoi

Qeveria “Rama” shkarkoi sot Gledis Nanon për rezultate të pamjaftueshme në detyrë.

Vendimi i qeverisë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Blendi Çuçi, lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishin vënë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Ministri Çuçi tha për mediat se shkarkimi lidhet dhe me situatën e krijuar muajt e fundit, e cila, sipas tij, “kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit”.

Dy ditë më parë, në qarqet mediatike të Tiranës u përhap një njoftim se zoti Nano kishte dhënë dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë si të pavërtetë.

Ish-drejtori Nano nuk ka dhënë ende ndonjë reagim për shkarkimin e sotëm nga detyra. Ai është një nga drejtuesit më afatshkurtër në detyrë.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu vlerësimin për zotin Gledis Nano: “Ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”.

Qeveria e emëroi Nano në tetorin e vitit të kaluar si drejtor të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu.

Nano ka një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit ishte drejtor i Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, në punën e tij ai ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Kriminaliteti, gjatë sezonit turistik dhe disa krime të rënda javët e fundit nga grupet e krimit të organizuar përkeqësuan gjendjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri. /VOA

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.