VKM për Teatrin, reagon ashpër Aleanca: Braçe do përfundojë në SPAK

Pas vendimit të qeverisë, sipas të cilit, truallin ku ka qenë godina e Teatri Kombëtar do t’ia kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e objektit të ri, ka reaguar ashpër edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtarë.

Përfaqësuesja e tyre, Adriana Kalaja, ka deklaruar për mediat se ky është vërtet një lajm tepër i trishtë dhe një vendim të cilin e kanë pritur me shumë shqetësim gjatë gjithë këtyre ditëve.

Kalaja shton se ky është një vendim i marrë nga disa banditë, të cilët kanë marrë peng të gjitha institucionet shqiptare, ndërsa nuk nguroi të silurojë edhe opozitën, e cila sipas saj duket se ka zgjedhur të heshtë deri tani për këtë vendim të qeverisë.

“Ky është një lajm tepër i trishtë, të cilin e kemi pritur me shumë shqetësim këto ditë. Ky vendim është marrë nga disa banditë, të cilët kanë merr peng çdo gjë në këtë vend, çdo institucion shqiptar dhe dita-ditës na e tregojnë me karshillëk që bëjnë ç’të duan me ligjin dhe me Shqipërinë. Habitem nga mënyra pasive se si e pret opozita këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjit”, tha Adriana Kalaja.

Në fund të prononcimit ajo deklaroi se Aleanca do të padisë në SPAK zv.kryeministrin Erion Braçe, firmën e të cilit mban VKM-ja e kaluar dje në Këshillin e Ministrave.

“I pari është Erion Braçe. Por do të çojmë gjithë drejtuesit e institucioneve që kanë qenë pjesë e padisë në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministrin, ministren e Financave, të Kulturës dhe Kryetarin e Bashkisë”, tha ajo mesditën e sotme.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.