Viti i Ri/ FSHF surprizon vogëlushët në Pediatri

Federata Shqiptare e Futbollit ka surprizuar vogëlushët e shtruar për kurim te Pediatria e Tiranës me dhurata në prag të festës së Vitit të Ri.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, futbollisti i Kombëtares, Myrto Uzuni dhe kapitenia e Kombëtares së femrave, Megi Doçi vizituan sot pediatrinë dhe shpërndanë dhurata për fëmijët që kanë probleme shëndetësore dhe po marrin kurim në këtë spital.

Emocionet kanë qenë të mëdha për vogëlushët, që morën dhuratat e përgatitura nga FSHF dhe kaluan disa çaste të bukura duke biseduar me dy yjet e futbollit e shqiptar dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Shulku. Nuk kanë munguar edhe fotot e rastit të Uzunit dhe Doçit me fëmijët, të cilët donin të kishin një kujtim me dy personazhet e spikatura të futbollit shqiptar.

Më këtë rast Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, është shprehur se kjo vizitë është një mundësi shumë e mirë për t’i dhuruar disa çaste gëzimi fëmijë dhe njëkohësisht i ka uruar të gjithë një vit sa më të mbarë dhe urim sa më të shpejtë.

“Ne menduam që të vinin sot në këtë prag-festash në spitalin e Pediatrisë dhe të takonim fëmijët e shtruar këtu për kurim, t’u gjendemi sadopak pranë atyre duke u dhënë disa dhurata nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe njëkohësisht i uruam shërim sa më të shpejtë dhe gjithashtu një vit të mbarë me shëndet dhe sa më shumë suksese”, – tha Shulku.

Edhe sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni ndau emocionet e tij për këtë nismë dhe shfrytëzoi rastin për t’u shprehur të gjithë shqiptarëve urimet e tij për vitin e ri.

“U ndjeva shumë mirë dhe shumë i emocionuar në të njëjtën kohë, pasi vizituam fëmijët e shtruar në spital, të cilëve u shpërndamë disa dhurata në këto prag-festash. Unë dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve qoftë një vit sa më i mbarë dhe veçanërisht shërim sa më të shpejtë të gjithë atyre që janë në vështirësi në këto momente”, – theksoi Myrto Uzuni.

Ndërsa, kapitenia e Kombëtares së femrave, Megi Doçi, vlerësoi iniciativën e FSHF-së për të gëzuar sadopak vogëlushët në spitalin e fëmijëve dhe u uroi atyre shërim sa më të shpejtë.

“Besoj se është iniciativë shumë e mirë e FSHF-së, që në këtë periudhë fetash të gëzojë sadopak fëmijët dhe t’i ndihmojë ata në këto ditë. Dua t’u uroj atyre shërim sa më të shpejtë dhe uroj të ndihen sa më të lumtur qoftë edhe nga kjo vizitë e jona. Gjithashtu dua t’i uroj të gjithë gëzuar festat dhe qoftë një vit sa më i mbarë për të gjithë”, – u shpreh Doçi.

Kjo vizitë vjen në vazhdën e aktiviteteve sociale që Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë vazhdimisht me fokus fëmijët dhe shtresat vulnerabël.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.