Virozat e stinës, fluks në pediatrinë e QSUT

Qarkullimi i virozave të stinës ka shtuar numrin e urgjencave në Pediatrinë e QSUT-së gjatë Nëntorit sipas shefes, Numila Kuneshka me rreth 300 fëmijë në 24 orë.

“Nëse gjatë muajit Shator-Tetor ky numër ka qenë afërsisht 200 fëmijë në 24 orë shohim që dy javorin e fundit ky numër është rritur dhe shkon gati në 300 fëmijë kryesisht dhe në fundjavë të cilët paraqiten gjatë 24-orëshit. Paraqiten me probleme kryesisht të rrugëve respiratore, të rrugëve të sipërmes ose të poshtme respiratore, pra me kollë, me temperaturë, kollë me sekrecione, kollë të thatë, laringite, bronkolite, bronkopneumoni”, tha mjekja.

Nga 20 shtrime në ditë, mesatarisht 1 ose 2 fëmijë rezultojnë të prekur nga Covid-19. Kuneshka tregon se me rreth 20 shtrime në ditë situata është e përballueshme, ndaj ka një apel për kolegët e saj në rrethe.

“Të paktën në bilancin e dy-tre ditëve të fundit numri i shtrimeve në ditë ka qenë nga 15-20 shtrime në 24 orë. Deri në këtë moment situata është e përballueshme por një apel për mjekët e rretheve që rastet që mund të trajtohen atje të mos i dërgojnë për të mbingarkuar fluksin si në urgjencën e pediatrisë ashtu dhe në spitalin dhe pavionet e tjera të pediatrisë”, theksoi ajo.

Përveç shtimit të virozave edhe rikonstruksioni i një pjese të pediatrisë ka ndikuar më tej në kapacitetet spitalore për pacientët e vegjël.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.