Video/ Hapet për qarkullimin loti i parë i bajpasit të Shkodrës

Hapet për qarkullimin e automjeteve loti 1 i bajpasit të Shkodrës, një vepër e rëndësishme për infrastrukturën dhe transportin, që lidh Tiranën me Hanin e Hotit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku gjatë inspektimit të këtij aksi rrugor tha se tashmë punimet këtu kanë përfunduar plotësisht sipas të gjitha standardeve më të mira, bashkë me sinjalistikën e nevojshme, duke ofruar jo vetëm siguri rrugore për mjetet, por edhe pjesa pedonale anësore që shoqëron këtë aks rrugor, ofron për qytetarët një shëtitore të këndshme.

“Kemi plane të qarta sesi do të vijojmë me lotet e tjerë të këtij bajpasi”, u shpreh Balluku.

Loti i parë i bajpasit të Shkodrës është 4.8 km i gjatë me dy korsi 7 metra për lëvizjen e makinave. Ky aks që kalon në qytet është i përbërë gjithashtu nga korsia e biçikletave, trotuarët, gjelbërim dhe ndriçim përkatës.

Balluku e cilësoi këtë vepër një investim ambicioz në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit të Shkodrës, që vjen e integruar edhe me projektet e tjera të Rilindjes Urbane.

“Në Shkodër kemi edhe investime të tjera infrastrukturore që kanë të bëjnë me korridorin Adiatiko-Jonian dhe nisin në vitin 2022 nga Dogana e Murriqanit dhe duhet të lidhet me Shkodrën”, u shpreh ajo.

Balluku tha se, ura hyrëse e qytetit, është një tjetër vepër që përfshihet në projektet e investimeve të qeverisë, ndërsa jemi në bashkëpunime konkrete me aktorët e këtij qyteti për projekte dhe investime konkrete infrastrukturore që nxisin zhvillimin e kësaj zone veriore me mjaft potenciale turistike dhe agroturistike.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.