Veliaj: Rinia, vend të veçantë në buxhetin e ardhshëm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me të rinjtë për buxhetin e vitit 2021, ku ka shprehur angazhimet e bashkisë për projekte të reja në ndihme të kësaj kategorie.
Veliaj tha se buxheti i ardhshëm për rininë parashikon një sërë investimesh, duke nisur nga shtimi i bibliotekave, mbështetjen e sipërmarrjeve rinore dhe teknologjinë e informacionit.
“Me projektin e 17 shkollave filluam një shkollë të re tek Njësia 8, po ashtu një shkollë tjetër te Fresku, po vazhdojmë me shkollën e re 9-vjeçare në Institutin Bujqësor dhe dy shkollat e tjera tek “Don Bosko”, shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Do të fillojmë shkollën e re “Dritëro Agolli” te Parku Olimpik, si dhe dy shkolla në Qytetin Studenti, me të cilat zgjidhim përfundimisht çështjen e arsimit parauniversitar në Tiranë”, shpjegoi Veliaj.
Sa i përket godinave të studentëve, Veliaj tha se ka nisur puna për ndërtimin e 8 konvikteve të Universitetit Bujqësor
“Do shkojmë nga një Qytet Studenti i Kodër-Kamzës që akomodonte 150 vetë, në një Qytet Studenti që do akomodojë 2150 vetë. Ne besojmë se do të jenë gati për 12-13 muaj”, u shpreh ai.
Një tjetër prioritet i Bashkisë, sipas tij, janë edhe bibliotekat, të cilat me futjen e teknologjisë nuk do të jenë më thjesht salla leximi, por do të ofrojnë edhe mjaft shërbime të tjera.
“Shumë shpejt do të hapim bibliotekën “Moikom Zeqo” te Pazari i Ri, me të cilën shkojmë në 8 biblioteka të reja në Tiranë. Propozimi që kemi për të rinjtë është që bibliotekat t’i përdorin edhe si mjedise për aktivitete e funksione të tjera më inovative”, shpjegoi ai.
“Buxhetin më të madh për këtë vit po e çojmë tek Piramida e Tiranës. Besoj se fundvitin tjetër Piramida do të ketë mbaruar, por edhe ajo nuk do të jetë thjesht një shkollë kodimi. Ka mekatronikë, robotikë, realitete virtuale, realitete të augmentuara, montazh, audio, video, animacion, etj”, u shpreh Veliaj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.