Veliaj: Mjaft me konflikte politike, të gjithë bashkë për rindërtimin e dëmeve të tërmetit
Kryebashkiaku Erion Veliaj foli sot lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në SHBA. “Kryeministri nuk erdhi dot sot sepse është me një mision në Amerikë për të diskutuar me ata që e prodhojnë vaksinën, që të sigurohemi që jemi ndër të parët që e marrim”, u shpreh Veliaj teksa i dorëzoi dokumentet e pronësisë familjes së Fatos Kasës në Bërzhitë, që u bë me shtëpi të re pasi e vjetra ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Veliaj theksoi se beteja për rindërtimin e dëmeve nga tërmeti është një betejë ku të gjithë duhet të bëhen bashkë.
“Kur vjen tërmeti dhe investimin e jetës na e merr fatkeqësia natyrore, të cilën s’e ka në dorë as shteti, as qeveria, jemi të gjithë të dobët. Por, çështja është a na bëhet qeveria dhe shteti shok e mik, për t’u ngritur prapë më të fortë. Sot themi po! Do të bëjmë edhe shtëpitë e tjera, do të sigurohemi që të dalim faqebardhë nga kjo histori”, tha Veliaj.
“Shumë vetë mundohen ta politizojnë dhe ta bëjnë me sherr këtë punë. Kjo kohë është një betejë që do na bëjë të gjithëve bashkë. Shumë njerëz ndoshta, nuk e kuptojnë se nuk është vetëm punë llaç e tulla. Në disa raste ka dokumente pronësie, ka mbivendosje, shpronësime. Vetëm pasi janë zgjidhur këto fillon puna për llaç e tulla, themele e çati. Ndaj, shumë nga ata që i shkaktuan këto dëme me pronën duhet të heshtin sot”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku shtoi se përkundër partive të zhurmshme që përpiqen të pengojnë procesin, shumica e njerëzve sheh përpara. “Ne jemi në luftë me pasojat e tërmetit, jo me njëri-tjetrin. Po të kuptojmë këtë, jemi realisht shqiptarë dhe patriotë, dhe patriotizmi më i madh sot është të ofrosh ndihmë dhe jo t’i nxjerrësh sytë njëri-tjetrit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ajo minorancë e vogël, që vazhdon akoma me parti të lodhura, që as nuk dhanë një shtëpi, as nuk dhanë një pako ndihmash, por përkundrazi shtuan vilat dhe pasurinë në vitin e fatkeqësisë. S’kemi kohë për ta, s’kemi kohë për të humbur, duhet të ecim përpara”, tha Veliaj.
Fatos Kasa i shprehu mirënjohjen Bashkisë së Tiranës dhe u bëri thirrje familjeve të tjera të prekura nga tërmeti që të kenë besim tek qeveria. “Ju falenderoj edhe u bëj thirrje të gjithë atyre, të cilëve u janë prishur shtëpitë nga tërmeti, të kenë besim tek qeveria sepse do të ndërtohen shtëpitë, ashtu siç m’u ndërtua mua”, tha ai.
Bërzhita është kthyer në kantier ndërtimi për rindërtimin e banesave të tërmetit, ndërkohë që puna po vijon edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Sorry, the comment form is closed at this time.