COVID-19/ Varianti i ri, flet mjeku i njohur shqiptar në Londër: Kemi një fenomen që…
Gjithë Evropa është vënë në alarm, pas zbulimit të një varianti të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe, ndaj disa shtete kanë bllokuar edhe qarkullimin me këtë vend.
Mjeku shqiptar në Londër, Sali Urovi, tha se një gjë e tillë ishte e pritshme. Në një intervistë për ‘ABC’, ai sqaroi se që prej fillimit COVID-19 ka pësuar 4 mijë ndryshime, ndërsa vetëm dy prej tyre janë parë të arsyeshme nga ekspertët që të bëhen publike.
I pyetur se çfarë pasojash jep ky version i ri, Urovi sqaroi se në këtë aspekt nuk ndryshon nga ai i pari, madje jep pasoja më të dobëta. Sipas tij, ky variant ka transmetueshmëri më të lartë në popullatë: “Ajo që ka ndryshuar në këtë virus është aftësia për të infektuar sa më shumë njerëz”.
“Pasojat janë të njëjta ose pak më të dobëta. Me këtë numër kaq të madh, ne shohim të sëmurë që gjithnjë e më pak hyjnë në repartet e terapisë intensive. Në Itali është izoluar pacienti i parë. Nuk i dihet se si do të shkojë, por këtu kemi një fenomen që do të doja ta ndaj me ju. Kjo pandemi nuk mund të lihet në dorën e shërbimeve sanitare dhe qeverisë, ato mund të bëjnë aq sa mundin. Duhet edhe ndërgjegjësimi i secilit prej nesh ndaj masave që duhen marrë”, shtoi ai.
Sorry, the comment form is closed at this time.