Vaksinim i detyrueshëm? Rakacolli: S’kemi përgjegjësi vetëm për veten

Zv,ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, informon se Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton vaksinimin e fëmijëve dhe vaksinimin e detyruar të arsimtarëve.

Kur u pyet nëse po mendohet që vaksinimi ndaj Covid-19 të bëhet i detyrueshëm, Rakacolli tha: “Vaksinimi i detyruar është debat i gjerë dhe filozofik do të thoja, sepse ka të bëjë me lirinë e dikujt. Kur jetojmë në komunitet, nuk kemi përgjegjësi vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Populli shqiptar e ka kulturën e vaksinimit dhe unë besoj në këtë kulturë”.

Në lidhje me situatën epidemiologjike në vend, Rakacolli u tregua optimiste, por bëri thirrje që të vijohet me mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura.

“Ka një rritje të lehtë të rasteve të reja dhe të shtruarve në spitale, por raporti i rasteve të reja me të shtruarit nuk është njësoj si në fillim. Arsyeja që nuk kemi shumë raste është ecuria e mirë e vaksinimit. Ne mendojmë se kemi një situatë të kontrolluar, por ka një shqetësim si kudo në rajon, Evropë dhe botë. Ajo që mbetet të bëjmë tani është të vaksinohemi. Vaksina të mbron dhe kjo është dëshmuar nga të gjitha vendet. Edhe në rastet që infektohesh kur je vaksinuar, sëmundja kalon pa simptoma apo me simptoma të lehta. Duhen mbajtur edhe maskat në ambiente të mbyllura. Epidemia nuk ka mbaruar ende, duhet sforco që t’i mbajmë”, tha ajo për A2”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.