Urdhri diskriminues/ “Kleçka” që penalizon studentët në rrethe

Të gjithë të trajtohen të barabartë është parimi kundër diskriminimit, ku kushdo ka akses njësoj në shërbime të ndryshme. Por ndodh që ky parim, që në Shqipëri është i sanksionuar dhe në Kushtetutë, të shkelet me të dyja këmbët.

B.I është një student nga Elbasani që përfundoi studimet Bachelor në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, me mesataren e duhur për të vijuar studimet master në Universitetin e Tiranës, por nuk arrin të fitojë Masterin Shkencor Civil në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Arsyeja? Urdhri nr. 40, datë 30.09.2020, i Fakultetit të Drejtësisë Tiranë, në të cilin janë përcaktuar kriteret e pranimit të aplikimeve për ndjekjen e programeve të studimeve të ciklit të dytë në vitin akademik 2020-2021.

Në përmbajtje të urdhërit është vendosur që: “Kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë vendi

 Sa i bazuar në arsye konkrete është ku urdhër dhe a është diskriminues? Ky urdhër vlen për të gjitha universitetet e vendit në rrethe si në Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Shkodër.

Një student mund të vijojë studimet në një nga universitetet e vendit për shkak të arsyeve ekonomike, afërsisë me vendbanimin etj.

Ky rast është trajtuar nga komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, ku B.I ka pretenduar se është diskriminuar për vendbanimin dhe shkakun e gjendjes arsimore.

Ankuesi sqaron se, ka përfunduar ciklin e parë të studimeve Bachelor në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vijim, ka aplikuar pranë Fakultetit të Drejtësisë Tiranë për të ndjekur ciklin e dytë të studimeve Master dhe si preferencë të parë ka vendosur programin Master Shkencor Civil. Në përfundim, referuar renditjes së kandidatëve dhe pikëve të grumbulluara, ankuesi është shpallur fitues vetëm në programin e studimeve Master Profesional Publik dhe jo në programin Master Shkencor Civil.

Sipas ankuesit, nga ana e Fakultetit të Drejtësisë Tiranë, janë përzgjedhur fillimisht si kandidat fitues, aplikantët që kanë përfunduar studimet Bachelor në këtë fakultet dhe ata jashtë vendit, e më pas i është dhënë mundësia kandidatëve që vijnë nga fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera të Shqipërisë. Në këto kushte, ankuesi pretendon se ai dhe aplikantët e tjerë të cilët ndodhen në të njëjtat kushte me të, janë diskrimunuar për shkak të gjendjes arsimore dhe vendbanimit, nga ana e aktit të nxjerrë nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, duke qënë se në mënyrë direkte ky urdhër favorizon aplikantët që kanë përfunduar studimet në këtë fakultet dhe ata që kanë përfunduar studimet Bachelor në Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë vendit.

PRETENDIMI I FDUT

Në përgjigjen që Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës i ka dërguar komisionerit arsyetohet se ku urdhër ka parashikuar se kuotat fillestare, ose thënë ndryshe në fazën e parë, do të plotësohen me aplikantë që kanë përfunduar studimet “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ky parashikim garanton respektimin e së drejtës për arsim të pandërprerë të vetë studentëve të FD-së dhe njëkohësisht, në përputhje me politikat e garantimit të cilësisë, siguron përthithjen e studentëve më të mirë në treg. Por sa qëndron ky argument?

ARSYETIMI I KOMISIONERIT

Gjatë shqyrtimit të çështjes, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se mbështetur në provat e administruara, Fakulteti i Drejtësisë, nuk ka vënë në dispozicion të Komisionerit asnjë akt, procesverbal apo dokumentacion tjetër, në të cilin të citohen arsyet objektive të cilat kanë çuar në vendosjen e kriterit që aplikatët të kenë përfunduar studimet e ciklit të parë të studimeve bachelor në Fakultetin e Drejtësisë të UT.

Sipas informacionit të dhënë gjatë shqyrtimit të ankesës, nga ana e Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Drejtësisë, kriteret e vendosura garantojnë respektimin e së drejtës për arsim të pandërprerë të vetë studentëve të FD-së dhe njëkohësisht, në përputhje me politikat e garantimit të cilësisë, siguron përthithjen e studentëve më të mirë në treg

Në këtë kuptim, referuar këtij parashikimi, Fakulteti i Drejtësisë nëpërmjet vendosjes së këtij kriteri ka diferencuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë kandidatët që nuk kanë përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Drejtësisë të UT-së.

Në analizë të kësaj, Komisioneri prezumon faktin se ankuesi është trajtuar në mënyrë të diferencuar dhe diskriminuese, duke u mbështetur në faktin që:

-ka përmbushur të gjitha kushtet e tjera dhe fakti që nuk ka mbaruar në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, ka qënë faktori i vetëm dhe deçiziv që e ka përjashtuar atë nga e drejta për të vazhduar studimet në programin e ciklit të dytë që ai kishte përzgjedhur si preferencë të parë.

-studentët me mesatare më të ulët se ankuesi, janë përzgjedhur për të vijuar ciklin e dytë të studimeve për programin Master Shkencor Civil, vetëm për faktin se kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve në UT; dhe pse një parim i tillë nuk ekziston i shprehur ekpresivisht në ndonjë Akt Ndërkombëtar, ligj, akt nënligjor apo statutor, Komisioneri vlerëson që gjithsesi, pandërpreja e studimeve duhet të garantohet për çdo person në të gjitha ciklet e studimit, i cili në bazë të aftësive të tij, mund ti ndjekë studimet në çdo Institucion të Arsimit të Lartë. Interpretimi i ngushtë që Fakulteti i Drejtësisë Tiranë bën, nuk gjen asnjë arsye objektive dhe e përcakton përzgjedhjen e kandidatëve në cilësi të tyre në bazë statusi dhe jo në kritere aftësie

Ky urdhër sipas komisionerit nuk është në një linjë me Rregulloren e Universitetit miratuar me Vendim nr. 5, datë 12.04.2010 të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, të ndryshuar, i cili nuk bën diferencim në faktin se në cilin Universitet kanë mbaruar studimet kandidatët, por bazohet vetëm në kriterin e mesatares, kriter i përligjur ky edhe nga akte të tjera ligjore duke nisur që nga Kushtetuta.

SHQETESIMI

Por një urdhër i tillë i Fakultetit të Drejtësisë, që sipas burimeve për tirananevvs.al është dhe në disa fakultete të tjera në të njëjtën formë do të ketë pasoja dhe në vitet e ardhshme nëse do të vijojë me këto kritere.

Kushtëzimi me faktin që duhet të kesh përfunduar studimet e ciklit të parë të studimeve pranë FDUT-së, do të sillte si pasojë detyrimin e studenteve që preferojnë të vazhdojnë studimet master pranë FDUT, që medoemos të ndjekin studimet e ciklit të parë pranë këtij Fakulteti. Por arsyet ekonomike, prania e universitetit pranë vendbanimit, apo e drejta për të zgjedhur ku duhen vijuar studimet nuk mund të kushtëzohet nga kjo.

REKOMANDIMI I KOMISIONERIT PER DISKRIMINIMIN

Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi i kërkon Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Drejtësisë të marrin masat për hartimin e kritereve për programet e ciklit të dytë të studimeve në mënyrë që aplikantët të konkurojnë në kushte të barabarta dhe bazuar në kritere aftësie. (Lexo këtu vendimin e plotë)

Vendimi është dhënë më 31 maj 2021 dhe Fakulteti i Drejtësisë brenda 30 ditëve nga marja në dijeni e këtij vendimi duhet ta njoftojë atë lidhur me masat e marra për zbatimin e tij ndërkohë që ka hapësirën për ankim brenda afateve ligjore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Ky urdhër dhe të ngjashëm të tij nga fakultetet e tjera duhet të ketë parasysh parimin e diskriminimit të studentëve, ku të gjithë të kenë mundësi të barabarta të vijojnë studimet e tyre./Tirananews.al

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.