Udhëzimi i ri për vitin shkollor, ulet numri i nxënësve për klasë

Prej vitesh, në Shqipëri ndodh një handikap i çuditshëm. Shumica e shkollave zbrazen nga viti në vit për shkak të rënies demografike, ndërsa në një grusht shkollash grumbullohen aq shumë nxënës duke krijuar shumë klasa paralele me mbingarkesë e turne të dyta, që u bënë tre e katër në kushte pandemie.

Ndonëse ka një udhëzim që kërkon maksimalisht 33 nxënës për klasë, shpesh është anashkaluar.

Shkolla në qendër të Tiranës tejkalojnë këtë numër, në një kohë që ato në periferi vuajnë për nxënës, duke lënë edhe mësues pa punë për shkak të mungesës së orëve. Pas rregullimeve të tre viteve më parë, Ministria e Arsimit ka ndërhyrë sërish duke e ulur në 30 numrin minimal të nxënësve për klasë, e rrjedhimisht edhe ngarkesën e mësuesve e drejtuesve të shkollave.

Ndryshimet prekin edhe gjimnazet, por ata ndahen në zona. Numri dysheme i nxënësve për një klasë gjimnazi në zonat urbane vijon të mbetet 25, ndërsa në zonat rurale nga 15 ulet në 10 nxënës.

Sakaq, puna për klasat kolektive është fokusuar në mirëfunksionimin e tyre dhe jo në zhdukjen, siç pretendohet prej vitesh si mision.

UDHËZIMI I RI

Dy ditë më parë, ministrja Evis Kushi ka firmosur një udhëzim me disa ndryshime në atë të mëparshmin, nr.30, datë 12.09.2018, i cili rirregullon veç të tjerash edhe formimin e klasave paralele.

Kështu, në rast se ka 30-59 nxënës, formohen dy klasa dhe për 60-99 nxënës të regjistruar formohen tri klasa paralele, duke vendosur kështu një kufi prej 30-33 nxënës maksimalisht për klasë.

Ndërsa udhëzimi i mëparshëm parashikonte 32-33 nxënës për klasë. Udhëzimi njeh gjithashtu edhe ngarkesën e mësuesve, të cilët ngarkohen me detyra të tjera, përveç mësimdhënies. Për shembull, ai që drejton bibliotekën i hiqen nga norma e detyrueshme mësimore 2-4 orë në javë, varësisht nga numri i nxënësve që ka shkolla.

Njëjtë veprohet dhe me mësuesit që mentorojnë një apo dy praktikantë, të cilëve iu ulet 2-4 orë mësimore nga norma e tyre.

Duke i angazhuar me veprimtari shtesë, udhëzimi parashtron që këta mësues të mos ngarkohen me orë shtesë të pagueshme, me përjashtim të rasteve kur shkolla nuk gjen dot mësues të tjerë.

Lëndë të veçanta, që janë futur prej vitesh apo anglishtja që impelemtohet rishtaz për 2021- 2022 që në klasë të parë fillore, do të jepen nga mësuesit respektivë brenda shkollës 9- vjeçare.

“Numri i punonjësve mësimorë në arsimin fillor të llogaritet një mësues për çdo klasë. Lëndët e TIK, Gjuhë e huaj, Edukim fizik, sporti dhe shëndeti, do zhvillohen nga punonjësit mësimore të arsimit të mesëm të ulët, sipas profilit përkatës”, citohet në udhëzimin e ndryshuar, pas të cilit shtohet edhe një pikë që ka të bëjë me shkollat speciale.

Sipas MAS, për të formuar një klasë duhen jo më pak se gjashtë nxënës me aftësi ndryshe.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.