U përjashtua nga Kupa e Botës, reagon Federata Ruse: Vendim diskriminues!

Federata Ruse e futbollit ka njoftuar se do apelojë vendimin e FIFA-s për përjashtimin e klubeve dhe përfaqësueses së saj nga aktivitetet ndërkombëtare. Në një deklaratë, Rusia thekson se vendimi ka një karakter diskriminues, ndaj një numër të madh atletësh, trajnerësh dhe miliona tifozëve rusë kudo në botë.

“Federata ruse është kategorikisht kundër vendimit të FIFA-s dhe UEFA-s për të pezulluar për një periudhë të pacaktuar të gjithë skuadrat ruse nga pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare.
Ne vlerësojmë se ky vendim është në kundërshtim me parimet e konkurrimit ndërkombëtar, ashtu si edhe shpirtit sportiv. Ka një karakter të dukshëm diskriminues dhe dëmton një numër shumë të madh atletësh, trajnerësh dhe punonjësish klubesh e ekipesh kombëtare, miliona tifozë rusë dhe të huaj, interesat e të cilëve duhet të tutelojnë në parim organizatat sportive ndërkombëtare.

Veprime të tilla po përçajnë komunitetin sportiv botëror i cili ka aderuar gjithmonë në parimet e barazisë, respektit reciprok dhe pavarësisë ndaj politikës.
Ne rezervojmë të drejtën që të apelojmë vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s në konformitet me të drejtën sportive ndërkombëtare”, shkruhej në reagimin e Federatës Ruse.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.