Rinas/ Rama teston ‘leximin elektronik’

Kryeministri Edi Rama ka testuar i pari sistemin e ri elektronik të identifikimit në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, gjatë vizitës për inaugurimin e terminalit të ri.

Kryeministri ka inspektuar edhe vendqëndrimet e avionëve, ndërsa kur kaloi pasaportën e tij në shërbimin elektronik të identifikimit pyeti drejtorin e Policisë, Gledis Nano: “Aty te e-Gates nuk ka më kontroll nga polici, vetëm me sy? S’ka më jo po shih se…”.

Ndërkohë kreu i Policisë së Shtetit iu përgjigj duke thënë se një efektiv i policisë do të asistojë qytetarët vetëm në rastet e vështirësive në përdorimin e teknologjisë.

Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e terminalit të ri të udhëtarëve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, nga ku lajmëroi se vetëm në muajin korrik, Shqipëria ka pritur një fluks të paparashikuar pasagjerësh prej 600 mijë.

Rama njoftoi se hyrjet dhe daljet për qytetarët shqiptarë, ata të BE dhe SHBA në terminalin e ri do të kryhen elektronikisht, pas vendosjes së sistemit inovativ teknologjik të identifikimit që është risi edhe për rajonin e Ballkanit.

Fjala e Ramës

Është një investim shumë i mirëseardhur për faktin se aeroporti po përballej me një presion të jashtëzakonshëm si rezultat i rritjes jashtë parashikimeve të numrit të pasagjerëve për t’u shërbyer. Ky terminal i ri, i ndërtuar në kohë rekord, dhe i munguar prej shumë vitesh prej një marrëveshje të mëparshme, të trashëguar koncesionare me mjaft probleme he prej një kompanie të huaj që nuk i qëndroi korrekt detyrimeve, as për terminalin e ri, as për zgjatimin e pistës, as për krijimin e një numri të ri vendqëndrimesh të avionëve që sot është bërë realitet, as për hapësirat e nevojshme të parkimit, as për procesimet e shpejta e cilësore. Sot këto po i shohin dhe prekin drejtpërdrejte dhjetëra apo mijëra pasagjerët shqiptarë e të huaj që hynë e dalin nga aeroporti,. Sot është vënë në punë sistemi I ri teknologjik i skanimit të pasaportave në hyrje dhe dalje.

Falë punës së Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Kastrati”, e cila qysh në ditën e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së re është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në aeroport.

Nga nesër, të gjithë qytetarët shqiptarë që do të vijnë në aeroportin e Rinasit nuk do të kenë më një lexim manual nga punonjësi i policisë që i sheh në sy e pastaj sheh pasaportën dhe pastaj prapë i sheh në sy. Por do të kalojnë në barrierën digjitale të kalimit të pasaportës për gjysmë minute. Do të lehtësojë shumë fluksin e hyrjeve. E njëjta gjë vlen për ata me pasaportë të BE, SHBA, Britanisë dhe Kanadasë.

Jo vetëm kjo, por edhe siguria, që ka qenë shqetësim. E mbajnë mend shumë mirë të gjitha skandalin e futjes deri në pistë të një bande që për fat të mirë u vu prapa hekurave, si rezultat i mosplotësimit të standardeve të sigurisë të kompanisë që administronte aeroportin më parë. Kështu ndodh në të gjitha vendet, policia bën simulimet e nevojshme dhe identifikon pikat kritike dhe asiston operatorët në marrjen e të gjitha masave të sigurisë.

Është shtuar edhe numri i punonjësve të policisë këtu dhe të gjitha këto janë në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për pasagjerët. Aeroporti ka pasur një sfidë të madhe në një kohë shumë sfiduese në të gjitha aeroportet e botës, me vonesa të vazhdueshme, kronike të fluturimeve, kudo.

Nuk e them unë, nuk e themi ne, se edhe nëse do ishte vërtete dhe të na mbetej ne për ta thënë nuk besoj se do e thoshim, por është shifër e ‘Eurocontrol’ që flet për aeroportin e Tiranës si aeroporti me rritjen më të lartë relative, në raport me vetveten pas periudhës së goditjes nga pandemia dhe që sot është me kapërcim të nivelit të pasagjerëve që kishte në 2019.

Shifrat e projeksioneve tona kanë ndryshuar tërësisht, sepse ne kemi prekur si projeksion mbi bazën e këtij 6 mujori një tavan prej mbi 4 milionë pasagjerë. Kjo vjen edhe me uljen drastike të çmimeve.

Tregu i Mesdheut është një nga më sfiduesit globalisht. Jemi mes konkurrenteve që kanë eksperience të gjatë dhe ofertë turistike spektakolare me Kroacinë lart, Greqinë poshtë dhe Italinë në të majtë. Por nëse do të dimë të ecim me menaxhim dhe planifikim, jo siç ka ndodhur këtë vit në një zonë të bregdetit kur për shkak të çmimit të lart fluksi i turistëve ka qenë i ulët, atëherë Shqipëria e vitit 2030 do të jetë përtej parashikimeve tona. Ne kemi projektuar një fluks pasagjerësh prej 8 milionë në 2030, por në bazë të hyrje-daljeve të këtij viti e kemi më të lartë. Shpresoj që të firmosim edhe kontratën më të madhe për portin turistik të Durrësit për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në vitin 2030.

Së shpejti do të kemi kantierin e Aeroportit të 4 atij të Sarandës dhe shpresoj që brenda këtij mandati të shikojnë aeroportin e Vlorës të bëhet operacional, atë të Kukësit të fuqizohet ndjeshëm dhe aeroportin e Tiranës të zhvillohet ndjeshëm me projektet e reja, me bazën logjistike të Wizz Air se të Air Albania do e vendosim në aeroportin e Vlorës.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.