Taksat, më mirë bojaxhi sesa i shkolluar dhe me pagë

Arbeni është një bojaxhi i cili e ka mësuar këtë zanat që në moshën 14-vjeçare dhe sot, pas 15 vitesh të tjera pune ai rrëfen për gazetën “SI” se kjo është zgjedhja më e mirë që ka bërë në jetë edhe pse asokohe në sytë e tij kjo lloj pune ishte tërësisht e rëndomtë dhe bajate.

“Punën si bojaxhi e kam nisur që herët tek ndihmoja babain tim i cili kishte vite të tëra që punonte si i tillë. Nuk jam shquar ndonjëherë si nxënës me rezultate të mira në shkollë por kam qenë student i urtë e që bindej. Duke e parë se nuk do të kisha të ardhme në ndonjë universitet, më mori babai pranë vetes dhe më mësonte gradualisht gjëra të reja. Nuk e dija se sa fitonte im atë dhe nuk e dija as se si do ishte kjo punë në të ardhmen por sot jam shumë i lumtur që ngeca aty sepse paguhem shumë mirë.” Ai tregon se tani ka klientët e tij të përhershëm tek të cilët punon gjithmonë por mes tyre shtohen thuajse çdo vit edhe shumë të tjerë të rinj. “Paga që marr varet nga puna që bëj por edhe nëse bëj vetëm lyerje dhe asgjë tjetër, unë sërish paguhem shumë mirë. Në një shtëpi mesatare me katër dhoma ku më duhet të lyej rreth 240m2, metri katror për lyerje është 1 mijë lekë të vjetra. 4 dhoma arrij t’i lyej për dy ditë në fund të të cilave unë fitoj 240 mijë lekë të vjetra.”-tregon ai për gazetasi.al ….Për këto para të fituara Arbeni nuk paguan asnjë taksë. Ata punojnë në të zezë. Pra 24 mijë lekët janë fitim neto. Por dhe sikur të ishte regjistruar në tatime, me një Nipt si biznes i vogël, sot Arbeni nuk do të paguante as tatim mbi fitimin, por vetëm kontributet për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore që llogariten mbi një pagë minimale, nuk shkojnë më shumë se 8 mijë lekë në muaj. Ndërkohë dita e punës në kohën e verës atij i arrin mbi 10 mijë lekë duke e kapur me vetëm 5 ditë pune pagën mestare në shkallë vendi! A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë vend pune më pagë mujore 300 mijë lekë? PO, por rallë. Sot në Shqipëri sipas një vendimi të këshillit të ministrave (vkm) të ndryshuar mbi nivelin e pagave të nënpunësve civilë në Shqipëri, një drejtor në administratë paguhet rreth 1 milionë lekë të vjetra.

Por, ndryshe nga bojaxhiu i cili nuk i paguan taksa shtetit, drejtorit i mbahet 11.2% e rrogës nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe 13% nga të ardhurat personale (TAP, diferenca mes pagës bruto dhe asaj minimale) duke bërë që ai të marrë afërsisht rreth 800 mijë lekë të vjetra në fund të muajit. Nëse sot dikush që punon në privat merr një pagë mbi 150 mijë kjo e ardhur tatohet 23 përqind!! Një tjetër bojaxhi, tregon se rreth kësaj page bruto që merr drejtori në fund të 30 ditëve, ai i fiton diku në vetëm 11 ditët e para të muajit, vetëm me patinime dhe lyerje. “Unë përgjithësisht bëj patinime edhe lyerje. Nëse unë do punoj po në një shtëpi me katër dhoma relativisht të mëdha, po e llogaris rreth 250m2, metri për patinimin është 2 mijë lekë të vjetra dhe pastaj 1 mijë lekë për lyerjen. Patinimi për katër dhoma nëse punoj i vetëm dhe pa ndihmës më shkon diku tek 9 ditë. Pra, në fund të 9 ditëve unë i marr të zotit të shtëpisë 500 mijë lekë të vjetra, duke shtuar edhe 250 mijë lekë të vjetra për lyerjen. Haku im i punës në 11 ditë është rreth 750 mijë lekë të vjetra.”-tha për gazetën “SI”, Albani, një 29 vjeçar i cili punonte prej rreth 5 vitesh si bojaxhi në Tiranë, zanat që e kishte përvetësuar në Itali. Nëse vetëm për patinimin dhe lyerjen që ai bën e ndajmë muajin në dy 11-ditësha dhe një 8-ditësh,me po të njëjtat përmasa të shtëpisë së mësipërme, Albani në fund të muajit fiton rreth një million e 980 mijë lekë të vjetra shqiptare,rreth 2 milionë lekë, tërësisht bruto, pa iu detyruar shtetit asnjë përqindje për sa kohë ai punon në informalitet. Sipas tij, ky fitim është tërësisht i justifikuar duke marrë parasysh anën tjetër të medaljes, jo vetëm të lodhjes fizike por edhe faktit që shumë prej bojërave kanë kimikate të rënda.

“Jashtë Shqipërisë bojaxhinjtë marin 2 mijë euro për dy ditë. Unë e di që është një punë e kërkuar pasi përgjithësisht bota i vlerëson shumë zanatet dhe ndaj shumë shpejt do iki të punoj në Amerikë sepse më doli dhe llotaria amerikane. Por, është një lodhje e tmerrshme fizike dhe pakkush mund ta përballojë. Nuk është aspak e lehtë as të punosh gjithë ditën me kimikate, në mes të vapës apo edhe në mes të të ftohtit. Po të ishte e lehtë e bënin të gjithë. Por me aq sa fitoj e justifikoj të gjithë lodhjen pasi për standardin në Shqipëri me atë rrogë ia del të jetosh shumë mirë.” Ai shton se jo gjithmonë gjërat shkojnë kaq fjollë, jo gjithmonë ka punë çdo ditë dhe jo gjithmonë i rastis të lyejë shtëpi të mëdha e me shumë dhoma, por edhe me punë të vogla merr një pagë të kënaqshme me të cilën sipas tij ia del jo vetëm të paguash faturat por edhe të kursesh ose t’i shpenzosh me familjen. Ndryshe nga nëpunësit civilë dhe drejtorët që kanë pagë fikse e kanë po përqindje fikse që i detyrohen shtetit, bojaxhinjtë ashtu si edhe shumë zanatçinj të tjerë e kanë vetë në dorë të vendosim limitet dhe çmimet për punët e tyre.

Universiteti dhe diploma veç vetërealizimit dhe një formimi të përgjithshëm intelektual, janë inferiore përballë pagave që marrin zanatçinjtë, të cilët ashtu si Arbeni dhe Albani, nuk e dinin kur e nisën që ndonjëherë është më mirë të jesh bojaxhi se sa drejtor. Sistemi i taksave në këtë vend favorizon ata që kanë më pak shkollë dhe më pak njohuri./ Gazeta Si

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.