Investimet/ Tabaku reagon për raportin e DASH

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar pas publikimit të raportit nga Departamenti Amerikan i Shtetit për klimën e investimeve në vend. Tabaku shkruan se një qeveri që vizion ka oligarkinë nuk mund të ofrojë asgjë!

Sipas saj, korrupsioni i lartë dhe endemik në nivele të larta, mungesa e konkurrencës dhe tregut, ekonomia informale dhe një legjislacion jo i qëndrueshëm janë problemet.

Ajo deklaron se ligjet janë të qepura për investitorët pranë qeverisë, parlamenti shërben si noter, PPP-të janë licenca për abuzimin me buxhetin dhe klima e biznesit përkeqësohet për vit.

Postimi i plotë

Pak atraktivë për Investitorët e huaj?! Një qeveri që vizion ka oligarkinë nuk mund të ofrojë asgjë!
🏦 Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri është një panoramë e një serie të gjatë të problemeve që përkeqësohen përditë e më shumë.

Praktikisht një biznes në SHBA pasi lexon këtë raport e ka të qartë se Shqipëria nuk ofron atë mikpritje karakteristike që gjen çdokush sa herë vjen në tokën tonë. Kjo, jo për fajin e shqiptarëve por për fajin e një qeverie që siç duket nga raporti preferon korrupsion përmbi klimën e një biznesi të shëndetshëm.
Nuk bën habi që raporti përshkruan në detaj ndjeshmërinë që dhoma Amerikane e Tregtisë apo dhe ajo Gjermane kanë për klimën dhe korrupsionin në vend.

👉 Pra; Korrupsioni i lartë dhe endemik në nivele të larta, mungesa e konkurrencës dhe tregut, ekonomia informale dhe një legjislacion jo i qëndrueshëm!
Ndonëse qeveria pretendon se ka ligje për të thithur sa më shumë biznese dhe investime të huaja, e vërteta është që këto ligje, si Investimeve Strategjike, janë thjesht fasada pasi titujt strategjikë dhe këto investime i shkojnë vetëm bizneseve të lidhura me qeverinë.
📌 Korrupsioni është aq galopant saqë edhe procesi i transparencës në lidhje me ligjet është në nivelin më të ulët, aq sa bizneset as nuk lajmërohen në kohë me ndryshimet apo për ndryshimet në ligj.

Kjo përkthehet në gjithnjë e më pak parashikueshmëri dhe stabilitet për një sipërmarrje serioze. Prandaj ne shohim gjithnjë e më pak biznese, sidomos amerikane, që vijnë në Shqipëri prej përzgjedhjes së tyre.

👉 Niveli i portofolit në vendin tonë ofron shumë mundësi, por sa investime strategjike serioze janë me prejardhje nga SHBA në fushën e energjisë, transportit, ndërtimit të veprave infrastrukturore e kështu me radhë?! Pak apo aspak dhe kjo sepse vendit i mungon konkurrenca dhe kjo na bën pak atraktivë.

Ligjet janë të qepura për investitorët pranë qeverisë, parlamenti shërben si noter, PPP-të janë licenca për abuzimin me buxhetin dhe klima e biznesit përkeqësohet për vit. Një ekonomi që në vitin 2022 vazhdon të ketë 40% të saj informale nuk premton siguri dhe as qartësi.
Për aq kohë sa qeveria të jetë e angazhuar në manaxhimin e skandaleve që vijnë nga korrupsioni, shkatërrimi ekonomisë ne nuk do të mund të fokusojmë vëmendjen tonë në zhvillimin ekonomik që do të përkthehej në rritjen e mirëqenies.

Mobiliteti social, një mundësi për këdo që të ndjekë ëndrrat dhe synimet e tij në jetë, nuk do të jetë realitet për sa kohë Shqipëria mos të shfrytëzojë potencialet e saj natyrore dhe njerëzore.

Këtë mundësi e pengon një qeveri, dhe një mazhorancë që e mban atë në kënetën e një sistemi të kalbur që nuk kërkon ndryshimin për t’i dhënë mundësinë gjithsekujt por i thërret shqiptarët në gjuhën e vjetër të përlyerjes pa ofruar asgjë ndryshe nga sa ka ofruar deri më tani.
#ekonomia #investime #FDI #shqiperia #SHBA #tatimet #oligarke #koncesione #PPP #inceneratoret

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.